Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e priti në takim në Tiranë kryediplomatin britanik, David Cameron, me të cilin tha se folën për “në një projekt strategjik me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe Kosovën”.
Rama fillimisht tha se me Cameron foli për hekurudhën Durrës – Prishtinë, të cilën e quajti “një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona”.
“Sot ne kemi disktuauar për marrëdhëniet tona shumë të mira dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre, për të cilin kemi folur qoftë në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO, qoftë në aspektin e marrëdhënieve bilaterale, në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë”, tha Rama.
“Dhe pa hyrë në të gjitha planet e bashkëpunimit tonë, unë dëshiroj të theksoj që kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, për Kosovën, por edhe për rajonin, që është hekurudha Durrës – Prishtinë, e cila është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajon dhe më gjerë, duke pasur parasysh që së shpejti ne hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit”, shtoi ai.