Epoka Suning drejt fundit, vlera e klubit, bordi i ri…, hapat e ardhshëm të Oaktree

0
170

Mjafton një letër rekomandimi që Oaktree të mbyllë përfundimisht epokën Suning dhe të bëhet pronari efektiv i Interit. Ky është hapi i parë që fondi kalifornian do të ndërmarrë në këto orë për të marrë klubin zikaltër.

Një proces i mirëpërcaktuar që do të nisë që nga dorëheqja e Bordit Drejtues aktual dhe emërimi i të riut, duke kaluar përmes pagesës tek Suning të diferencës mes bilancit të kredisë (rreth 380 milionë) dhe vlerës që vlerësuesi do t’i japë shoqërisë, hap i nevojshëm për t’u bërë pronar i më shumë se 99 për qind të aksioneve. Megjithatë, “ndeshja” më e rëndësishme do të luhet pikërisht rreth vlerësimit të Interit.

Oaktree, shkruan “Corriere della Sera”, në fakt tashmë ka marrë një vlerësim, nga ekspertë të pavarur, prej 850 milionë eurosh, përfshirë edhe borxhet. Një shifër që Suning me siguri do ta konsiderojë të ulët.

Nga ana tjetër, një fond nga natyra e tij ka si objektiv të fitojë para me një shitje në një periudhë afatmesme-shkurtër, ndaj sa më e lartë të jetë vlera e Interit, aq më i ulët do të jetë marzhi i fitimit.

Prandaj është logjike që do të provohet, të paktën fillimisht, një ndërmjetësim që mund të kënaqë të dyja palët duke shmangur pasojat ligjore.

Nëse nuk arrihet marrëveshja në një afat shumë të shkurtër, Oaktree do të shkojë drejt e në rrugën e saj pavarësisht nga reagimi i Zhang.

Hapi tjetër themelor është pa dyshim emërimi i bordit: anëtarët e bordit të Suning do të duhet të largohen siç do të bëjnë dy njerëzit e Oaktree (Carlo Marchetti dhe Amedeo Carassai) përpara se të bëhen emërimet e reja.

Presidenti nuk është vendosur ende. Shpirti sportiv duhet të konfirmohet (Marotta të paktën fillimisht do të ketë të gjitha delegimet e klubit), siç ka bërë tashmë fondi amerikan me Caen, ku mbante vetëm menaxhimin administrativ të klubit.

Ndryshe nga sa u bë në Francë, nuk do të ndërmerren masa drastike për uljen e kostove, por sigurisht që do të merren parasysh disa parametra dhe do të tentohet të përmirësohen llogaritë me kalimin e kohës.

Merkatoja do të pësojë një ngadalësim për rreth njëzet ditë përpara se të ndiqet rruga e gjurmuar muajt e fundit nga Marotta dhe Ausilio

Do të ketë ekuilibër midis hyrjeve dhe daljeve, prandaj bilanci do të duhet të jetë zero ose, më mirë akoma pozitiv, por ky nuk ka qenë problem deri tani pasi ekipi është përmirësuar vazhdimisht. Pjesa tjetër do të shihet. E ardhmja po troket, mungon vetëm akti formal i një komunikate për shtyp që të gjithë presin dhe që do të mbërrijë shumë shpejt./SS

Leave a Reply