Qeveria s’i lejon tubimet me mbi 50 persona, reagojnë gastronomët dhe hoteleria

0
376

Nga tani e tutje anëtarët e kabinetit qeveritar do ta kenë të obligueshme bartjen e maskës, ani pse një gjë të tillë nuk e praktikuan të gjithë, në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Në mesin e 28 masave të marra nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, është reduktimi i punonjësve në institucione publike, mbyllja e zyrave e departamentet në të cilat janë shfaqur rastet pozitive me Covid-19, e edhe ndalimi i tubimeve me mbi 50 persona, raporton KOHA.

Në këtë mbledhje u votua që edhe kontaktet e personave të infektuar me Covid të vetizolohen për 14 ditë, e të mos kenë kontakte me persona të tjerë, rekomandim ky i cili ishte bërë publik nga OBSh-ja, që nga fillimi i pandemisë.

Tutje sipas ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, bartja e maskave dhe përdorimi i dezinfektuesve është e obligueshme në veçanti për veprimtaritë tregtare, si furrat, marketet e barnatoret, si dhe në sektorin e gastronomisë.

Derisa në masën e 26-të thuhet se Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja do ta përcjellin gjendjen dhe nëse rëndohet situata, atëherë do të kërkohet kthimi i masave rigoroze të rekomanduara sipas OBSH-së.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se janë duke krijuar kapacitete shtesë në Klinika të QKUK-së dhe në spitale regjionale.

Vetëm në muajin qershor në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 1 mijë e 795 persona pozitivë me Covid-19.

Pavarësisht kësaj, ka pasur kërkesa për lejimin e operimit të klubeve të natës.

Përmes Shoqatës së Gastronomëve, klubet kanë kërkuar bashkëpunim me Qeverinë, që përmes masave adekuate t’u lejohet operimi nga 15 korriku.

Edhe Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit ka reaguar pas vendimit për moslejimin e tubimeve me mbi 50 persona në hapësira të mbyllura.

Lidhur me çështjen e mbajtjes së dasmave në objekte të hotelerisë pritet të ketë edhe një takim me ministrin Zemaj, derisa përfaqësuesit e Shoqatës kanë paralajmëruar ankesa edhe në institucione të drejtësisë.

Leave a Reply