“Punësimet politike” në Prizren: Shaqir Totaj flet për punësimin e djalit dhe resë gjatë mandatit të tij 

0
137

Ndonëse në debatin që ishte mbajtur nga Jeta Xharra në vitin 2021, në kohën e zgjedhjeve lokale, Shaqir Totaj, i cili asokohe kandidonte për të marrë udhëheqjen e Prizrenit kishte premtuar një arsim të papolitizuar, tash- gati tre vjet pas këtyre deklarimeve ai po përballet me kritika për disa punësime politike dhe familjare. 

KALLXO.com pati raportuar për disa nga drejtorët aktual të shkollave të Prizrenit që në të kaluarën apo në vitet e fundit kanë qenë të angazhuar edhe në politikë, kryesisht nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. 

Raportimet e KALLXO.com tregonin se si Sali Ademaj ish- kandidati për asamble komunale në Prizren ishte zgjedhur drejtor në një shkollë. Ngjashëm me të ishte zgjedhur edhe Vlorian Cenaj që ishte drejtor i Arsimit në Dragash dhe Lumnije Rakaj e cila në vitin 2021 ishte zgjedhur kryetare e Forumit të Gruas së PDK-së në Prizren. 

Shaqir Totaj tha se kriteret dhe procedurat ligjore nga të lartëpërmendurit janë respektuar. 

“Kurrgjë nuk është në kundërshtim me ligjin këtu. Nëse ligji e përcakton ndryshe, unë marr përgjegjësi”- tha Totaj. 

Asnjë nga këto punësime, ai nuk i mohoi, por vetëm tha se kanë shkuar në bazë të procedurave. 

Në një përgjigje për KALLXO.com, Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veseli- Gutaj ka thënë se të tre të lartëpërmendurit kanë plotësuar deklaratën që nuk kanë pasur funksione në ndonjë parti. 

“Të lartëpërmendurit janë drejtor të shkollave me mandate dhe në momentin e aplikimit për këto pozita e kanë plotësuar deklaratën në betim që nuk kanë dhe nuk kanë pasur funksione udhëheqëse në ndoni parti politike në përputhje me Shtojcën e UA-151-1-Formularet për vlersimin e kandidatve për drejtor dhe zëvendësdrejtor të IEA”- thuhej në përgjigjen e drejtoreshës Veseli- Gutaj. 

E kryetari Totaj më pas u pyet edhe për punësimin e resë së tij (gruaja e djalit të Totajt) në njërën nga shkollat e Prizrenit. 

“E këtë mundet me shpjegu drejtoresha ma mirë se unë nuk jam marrë me këtë punë”- thotë Totaj.

Ai iu përgjigj Jeta Xharrës deri sa e njëjta tha se kjo dukuri ka qenë edhe në qeverisjen e kaluar. 

“Absolutisht pajtohem me ju, mirëpo për mua udhërrëfyes për të gjitha veprimet është ligji. Aty ku nuk shkelet ligji, unë jam në rregull. Mu më kanë akuzuar edhe për djalin që ka hy në punë në ndërmarrje publike. Para se me hy djali në punë unë ju kam drejtu Agjencisë Kundër Korrupsionit”- tha Totaj. 

E Jeta Xharra e pyeti se a e dinte se po zgjidhej që ka kërku nga AKK vlerësim. 

“Jo unë e kam ditë se ka me apliku dhe kam kërku me ditë se nëse zgjidhet a është konflikt interesi. Tash më duket se po du me lëshu atë punë se s’po i pëlqen”- tha Totaj. 

Ai gjithashtu njoftoi se djali i tij punon në sektorin e menaxhimit të pagesave dhe borxheve që i kanë në ndërmarrjen publike në “Eko Regjion”. 

Edhe asamblistja e LVV-së në Prizren, Dafina Alishani kritikoi përzgjedhjen e drejtorave të shkollave me prapvijë politike. 

“E bën komisionin për përzgjedhjen e drejtorave politik, i zgjedh militantët në drejtori”- tha Alishani në debat. /Kallxo.com/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here