Pse dialogu me Serbinë nuk mund të mos jetë prioritet për Kosovën?

0
342

Çështja e targave është minore, por shpërfaqi problemin madhor në raport me Serbinë. Zhvillimet e fundit të pasuara nga vendimi i qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targat e automjeteve treguan, mes tjerash, se dialogu me Serbinë nuk mund dhe nuk duhet të mos trajtohet me prioritet nga qeveria e Kosovës. Kjo për një fakt shumë të thjeshtë: zvarritjet e procesit të dialogut kanë qenë në favor të Serbisë. Gjatë ‘status quo-së’ Serbia ka fuqizuar pozicionin saj në arenen ndërkombëtare edhe pa e njohur Kosovën, pa u pergjigjur për krimet ndaj shqiptarëve, pa e zgjidhur çështjen e të pagjeturve, etj.

Ka të pakten tri arsye pse ‘status quo-ja’ është në favor të Serbisë:
Së pari, Bashkimi Evropian nuk mund të detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën (edhe pse nuk e ka tentuar një gjë të tillë) me kushtin e integrimit evropian. BE-ja është duke përjetuar një krizë të brendshme dhe zgjerimi nuk do të jetë prioritet për të paktën 10 vitet e ardhshme. Prandaj, ajo nuk mund të kushtëzojë e as tërheqë askënd me “karrotën” e integrimit, e cila është në zbehje e sipër.

Së dyti, Serbia duke e parë situatën në të cilën ndodhet BE-ja, nuk ka motiv të bëjë levizje drejt saj në kuptimin politik – përmes reformave demokratike në sundim të ligjit, garantim të lirisë së medias, etj., sepse:
(1) reformat politike shkojnë kundër interesave të Vuqiç dhe regjimit të tij autoritaritar dhe (2) se Serbinë nuk e ka penalizuar mosavancimi në reformat politike sepse ajo ka rritur ndjeshëm marrëdhëniet ekonomike/tregtare me shtetet anëtare të BE-së dhe ka tërhequr investime prej tyre edhe pa qenë anëtare e saj (mbi 2 miliardë investime dhe mbi 25 miliardë tregti vetëm në 2020).

Së treti, Rusia përmes ndikimit të lartë në strukturat serbe të sigurisë dhe mbrojtjes është gjithnjë e interesuar të destabilizojë Kosovën dhe rajonin. Vizita e ambasadorit rus në Beograd pranë kufirit me Kosovën së bashku me ministrin serb të mbrojtjes janë dëshmia më e freskët për këtë. Përmes kërcënimit të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, Rusia tenton ta shndërrojë rajonin në burim konstant krizash, me qëllim që ta mbajë atë sa më larg integrimit në strukturat euro-atlantike dhe sa më afër sferës së saj të ndikimit, sikurse po bën në Ukrainë dhe Gjeorgji. Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare nuk duan të kenë në gjirin e tyre vende me konflikt të hapur.

Duke pasur parasysh këto (dhe të tjera) arsye, qeveria e Kosovës duhet jo vetëm ta trajtojë me seriozitet dialogun, por të jetë proaktive dhe të ndërmarrë një fushatë intensive për të ngritur alarmin në qendrat perëndimore për nevojën e një marrëveshjeje finale, ligjërisht të obligueshme me Serbinë.

Është fat që ShBA-të janë ri-aktivizuar në dialog, por nëse ne nuk jemi proaktiv, presioni i madh për kompromise dhe lëshime bie mbi ne, si pala më e dobët.

Shkruan: Lirim KRASNIQI

Leave a Reply