Prizren,shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për dhënien e banesave pa kriter për shoqatat e dala nga lufta

0
371

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi, e cila ishte e paraparë të mbahej në Gjykatën Themelore në Prizren.

Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e mbrojtësit të akuzuarit Reshat Mehemti, avokatit Esat Gutaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi njoftoi se ka pranuar një parashtresë nga avokati Gutaj, i cili e ka informuar trupin gjykues se për sot është i angazhuar në një çështje tjetër penale për vrasje të rëndë dhe ka kërkuar shtyrjen e kësaj seance.

Trupi gjykues e aprovoi kërkesën e avokatit Gutaj  dhe vendosi që seanca e sotme të mos mbahet ndërsa seanca e radhës u caktua të mbahet me 03.03.2021 në ora 10:00, ku pritettë dëshmoj dëshmitarja Hamidije Ademaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 28 shkurt 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marrë vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit u kanë shkelur të drejtat familjeve skamnore, të cilat i kanë plotësuar kriteret, por për shkak se familjet e rekomanduara nga shoqatat e dala nga lufta e kanë përfituar shfrytëzimin e këtyre banesave me automatizëm, familjet skamnore kanë qenë të privuar nga kjo mundësi, me këto veprime të pandehurit nuk i kanë përmbushur detyrat dhe obligimet e tyre.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply