Prizreni 13 vjet me Universitet – 62 vjet me arsim të lartë

0
320

Historiku i shukrtër i Universitetit “Ukshin Hoti”

Ky qytet i lashtë i kulturës shqiptare që nga viti 1961, me iniciativën e organeve të atëhershme për arsim, vendosi themelet e institucionit të parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike. Kjo ishte dhe mbetet një ngjarje e shënuar në jetën shoqërore, politike, kulturore dhe arsimore të Prizrenit dhe të mbarë Kosovës, sepse kjo Shkollë luajti një rol të madh në përgatitjen profesionale të kuadrave për arsimin parauniversitar anë e mbanë Kosovës e më gjerë. Ish-Shkolla e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” funksionoi deri në vitin 2002, pas këtij viti u transformua në Fakultetin e Edukimit në kuadër të Universitetit të Prishtinës, dega në Prizren.

Kurse me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, më datën 09 tetor 2009, themelohet Universiteti “Ukshin Hoti”, Universitet i dytë publik në Republikën e Kosovës. Universiteti filloi me gjeneratën e parë të studentëve në vitin akademik 2010/11, përkatësisht më 01 tetor 2010.

Ideja fillestare për themelimin e Universitetit ka lindur si nevojë e domosdoshme e kërkesës së tregut rajonal të Prizrenit për përgatitjen e specialistëve në fushën e arsimit fillor dhe të mesëm, si në: edukim, gjuhësi, teknologji informative, biznes e menaxhment ndërkombëtar, agrobiznes, shkencat e pyjeve, juridik dhe në fusha të tjera. Programet studimore janë hartuar në bashkëpunim të ngushtë dhe me përkrahje kombëtare e ndërkombëtare, këto programe të studimeve janë sipas trendeve të zhvillimit akademik europian.

Studentët të cilët vijojnë studimet në këtë Universitet vijnë nga rajoni i Prizrenit, Suharekës, Rahovecit, Malishevës, Sharrit, dhe nga rajonet e tjera të Republikës së Kosovës dhe nga disa vende të Shqipërisë së Veriut.

Aktualisht, Universiteti përbëhet nga gjashtë fakultete në të cilat organizohen 21 programe të studimeve, në dy nivele (baçelor dhe master). Njëkohësisht, brenda një periudhe afatmesme, Universiteti planifikon të hapë edhe programet e studimeve të doktoratës, të këshilluara dhe të financuara nga BE-ja. Në funksion të përmbushjes së këtij objektivi, Universiteti është pjesë e projekteve ndërkombëtare.

Universiteti, përveç programeve studimore në gjuhën shqipe, u ofron studentëve edhe programe studimi në gjuhën turke dhe boshnjake. Diversiteti gjuhësor i programeve studimore e bën Universitetin tonë unik dhe njëherazi të krahasueshëm me universitetet e tjera në Kosovë e më gjerë.

Universiteti ka themeluar Qendrën e Karrierës dhe të Alumnit, e cila ka nё fokus krijimin e urës lidhëse ndërmjet punës akademike dhe tregut të punës, përmes orientimit, këshillimit dhe zhvillimit profesional të studentëve.

Stafi akademik i Universitetit ka përgatitje të lartë akademike dhe integritet të lartë etik dhe profesional. Ata marrin pjesë në mënyrë aktive në kongrese, konferenca, seminare dhe në punëtori kërkimore-shkencore. Po ashtu, stafi akademik i Universitetit “Ukshin Hoti” është edhe bashkorganizator i konferencave shkencore rajonale dhe ndërkombëtare.

Për të avancuar punën kërkimore-shkencore, në kuadër të njësive akademike të Universitetit, parashihet themelimi i Instituteve kërkimore-shkencore.

Universiteti ofron shërbime këshilluese dhe ekspertiza profesionale për komunitetin e biznesit dhe organizatat e tjera publike dhe private. Këto shërbime ofrohen në kuadër të Qendrës për Inovacion dhe Punësim. Kjo qendër funksionon në kuadër të Universitetit, me përkrahjen e projektit Erasmus+. Kontributi në komunitet i Universitetit është jetik për zhvillimin e tij. Për këtë qëllim janë themeluar Bordet Këshillëdhënëse Industriale në kuadër të së cilës njësi akademike. Bordet Këshillëdhënëse Industriale u shërbejnë njësive akademike të Universitetit për komunikim dhe ndërveprim me komunitetin rajonal të biznesit dhe më gjerë. Për më tepër, Universiteti do të kontribuojë aktivisht me kapacitet e veta akademike në përmbushjen e misionit të “Parkut Gjermano-Kosovar të Inovacionit dhe Trajnimeve” në qytetin e Prizrenit. Misioni i themelimit të këtij parku parasheh bashkëpunimin me njësitë akademike, si me Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit etj.

Në Universitetin tonë, numri i përgjithshëm i punonjësve – i stafit akademik dhe administrativ – sillet rreth 200. Numri i studentëve aktivë është rreth 3.500, kurse 6.413 janë jo aktivë. Që nga viti 2010 deri më sot kanë diplomuar 6.885 studentë, ndërsa janë regjistruar 25.000 studentë. Në vitin akademik 2023-2024 në Universitetin “Ukshin Hoti” janë pranuar gjithsej 1.245 studentë.

Misioni

Universiteti “Ukshin Hoti” është institucion akademik e konkurrues i orientuar në ofrimin e edukimit cilësor, duke zhvilluar kërkime shkencore dhe duke kontribuar në inovacion, në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe të komunitetit në nivel lokal, kombëtar dhe më gjerë.

Vlerat

Vlerat mbi të cilat është hartuar Plani strategjik i Universitetit për periudhën 2020-2024 udhëhiqet në drejtim të përmbushjes së misionit dhe vizionit të tij. Universiteti ynë promovon vlerat universale, grupore dhe individuale, si në vijim:

• Lirinë e shprehjes dhe të punës akademike-shkencore, në mënyrë që të sigurohet shprehja e mendimit ndryshe;

• Ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në procesin e edukimit dhe të punës kërkimore-shkencore;

• Konkurrencën brenda Universitetit si vlerë e shtuar e zhvillimit akademik dhe shkencor;

• Transparencën dhe lirinë e shprehjes e të mendimit kritik;

• Kohezionin me kërkesat e tregut të punës;

• Meritokracinë si vlerë universale e njohjes së kontributeve individuale dhe grupore;

• Diversitetin linguistik, etnik dhe kulturor, si vlerë e shtuar burimore nga makromjedisi i rajonit të Prizrenit;

• Barazinë sociale dhe gjinore si vlerë e fuqizimit të shtresave sociale dhe fuqizimit të rolit të gruas;

• Qëndrueshmërinë financiare nëpërmjet përkrahjes së burimeve për financimin e punës së Universitetit;

• Bashkëpunimin e ngushtë me komunitetin e biznesit në nivel të rajonit të Prizrenit, në shkallë nacionale dhe më gjerë.

Universiteti “Ukshin Hoti” edhe pse numëron 13 vjet veprimtari, ka arritur të ecë krahë për krahë me universitet e tjera të vendit tonë e më gjerë dhe jo rastësisht konsiderohet Universiteti i dytë në vend.

Besojmë shumë se objektivat e Planit strategjik për zhvillimin e mëtutjeshëm të Universitetit “Ukshin Hoti” do t’i arrijmë vetëm me punë, angazhime sistematike, me bashkëveprim e seriozitet, duke filluar nga stafi akademik, stafi administrativ e deri te sukseset e studentëve tanë. Jemi të vetëdijshëm se vetëm kështu e nderojmë e emrin e Profesor Ukshin Hotit, emrin e të cilit me krenari e bart Universiteti ynë, vetëm kështu e nderojmë qytetin historik të Prizrenit dhe këtë tempull të dijes së Republikës së Kosovës.

Shkruan: Prof. Dr. Xhafer BEQIRAJ

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply