Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për privim të kundërligjshëm të lirisë në Prizren. Sipas raportimeve, të dyshuarit, të gjithë meshkuj kosovarë, kanë marrë me forcë një person dhe e kanë dërguar në një zonë pyjore, raporton 04 Online.
Viktima ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Gjatë kontrollit të veturës së të dyshuarve, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri – një pistoletë me një karikator.
Me urdhër të prokurorit, tre të dyshuarit janë ndaluar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
“Prizren / 12.03.2025 – 13:00. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit me forcë kanë marrë viktimën mashkull kosovar dhe e kanë dërguar në pyll. Viktima është dërguar për tretman mjekësor . Gjatë kontrollit të veturës së personave të dyshuar, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator. Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës./04 Online