Presidenca: Në samitin BE-Ballkani Perëndimor u ftuan Qeveritë, jo Presidentët

0
141

Gjatë ditës së sotme, në Tiranë, do të mbahet samiti BE-Ballkan Perëndimor, një ditë pas samitit Evropë Juglindore-Ukrainë.

Në Samitin mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, nuk do të jetë prezente presidentja e vendit Vjosa Osmani, siç u raportua në disa media.

Nga Presidenca e Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se presidentja ka qenë e ftuar vetëm në samitin e djeshëm për Ukrainën dhe se në samitin e sotëm ku do të diskutohet mbi planin e rritjes janë ftuar vetëm qeveritë.

“Presidentja ka qene e ftuar vetëm për samitin EJL-Ukraine te dt.28 shkurt. Nuk ka qenë e paraparë pjesëmarrja e saj në takimin e kryeministrave me dt.29 për planin e rritjes. Pra aty janë ftuar qeveritë”, ka thënë Egnesa Vitia, këshilltare e Presidentes Osmani.

Siç merr vesh gazeta online Reporteri.net në këtë samit do të marrë pjesë Kryeministri Kurti. Ai do të jetë i pranishëm përmes një video-lidhje.

Nikoqiri i këtij samiti, kryeministri shqiptar Edi Rama në pritje të punimeve samiti BE-Ballkani Perëndimor, ka thënë se në fokus do të jetë plani i ri i rritjes.

Rama ka theksuar se ky plan do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit.

Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.

Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.

Arritja e liderëve në samit do të bëhet në Pallatin e Kongreseve nga ora 09:30. Fjalët hapëse mbahen nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe komisionari Oliver Varhelyi nga ora 09:45.

Firmosja e marrëveshjes bëhet në orën 12:00, ndërsa konferenca për media nga ora 12:30. /Reporteri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here