UNICEF alarmon për ushqyerjen e fëmijëve në Kosovë: 57% konsumojnë ushqime jo të shëndetshme, mungojnë mensat në shkolla

0
41

Fëmijët në Kosovë po përballen me probleme gjithnjë e më të mëdha në ushqyerje, ndërsa mungesa e mensave shkollore, konsumi i ushqimeve ultra të përpunuara dhe qasja e kufizuar në alternativa të shëndetshme po paraqesin shqetësim për shëndetin e tyre.

Në një raport të UNICEF-it për mjediset e ushqyerjes dhe aktivitetit fizik në shkolla, theksohet se Kosova ka nevojë për masa konkrete për të përmirësuar mënyrën e të ushqyerit të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Sipas të dhënave të MICS-it 2025, 57 për qind e fëmijëve të moshës 6 deri në 23 muaj konsumojnë ushqime jo të shëndetshme, ndërsa 42 për qind konsumojnë pije të ëmbla.

Situata është edhe më shqetësuese te fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku 80 për qind konsumojnë ushqime jo të shëndetshme dhe 72 për qind pije të ëmbla.

Raporti vë në pah edhe mungesën e një programi universal të ushqyerjes në shkolla. Për shkak të shkurtimeve buxhetore, infrastrukturës së papërshtatshme dhe mungesës së personelit të trajnuar, shumica e shkollave nuk kanë mundësi të ofrojnë shujta për nxënësit.

Vlerësimi ka treguar se në shkollat ku shitet ushqim, mbizotërojnë produktet jo të shëndetshme. Për më tepër, shumica e shkollave u lejojnë nxënësve të dalin gjatë orarit mësimor për të blerë ushqime dhe pije në dyqanet përreth.

Një tjetër shqetësim është qasja e pabarabartë në ujë të pijshëm të sigurt dhe në hapësira e pajisje të përshtatshme për aktivitet fizik. Megjithatë, aktiviteti fizik i organizuar vlerësohet si një prej pikave më të forta, pasi pothuajse të gjitha shkollat i përmbushin kërkesat e kurrikulës.

UNICEF-i rekomandon krijimin gradual të një programi të shujtave ose mesvakteve në shkolla, të financuar nga fondet publike, vendosjen e standardeve të detyrueshme për ushqimet dhe pijet që ofrohen në shkolla, si dhe kufizimin e shitjes dhe marketingut të produkteve jo të shëndetshme brenda dhe përreth tyre.

Raporti thekson se investimet në ushqyerje të shëndetshme, edukim dhe aktivitet fizik janë të domosdoshme për të parandaluar rritjen e obezitetit dhe sëmundjeve të lidhura me ushqyerjen te fëmijët dhe adoleshentët në Kosovë.