Një moment me simbolikë të fortë shqiptare u shfaq në New York Fashion Week, ku Elton Ilirjani nderoi ikonën e muzikës shqiptare Parashqevi Simaku gjatë prezantimit të koleksionit “REMEMBER AW27”.
Finalja e spektaklit u shoqërua nga tingujt e këngës së njohur “E duam lumturinë”, ndërsa Ilirjani u shfaq në pasarelë me një fustan rozë me siluetë eterike.
Koleksioni i Poet-Lab, i krijuar nga Giuseppe Iacofano dhe i prezantuar nën produksionin e Global Fashion Collective, kishte në qendër konceptin e kujtesës – historitë, figurat dhe imazhet që vazhdojnë të jetojnë edhe përtej kohës.

Në këtë koncept u përfshi edhe historia e Parashqevi Simakut.
Ishte Elton Ilirjani ai që i tregoi stilistit italian për këngëtaren shqiptare dhe për lidhjen e veçantë emocionale që publiku në Shqipëri dhe Kosovë vazhdon të ketë me figurën dhe muzikën e saj.
Lidhja e Iacofanos me Shqipërinë kishte nisur edhe më herët. Gjatë një vizite në vend, ai dhe Ilirjani kishin realizuar së bashku disa fotosesione në lokacione të njohura shqiptare, bashkëpunim që kësaj radhe u zhvendos në një prej skenave më të mëdha të modës ndërkombëtare.

Referencat ndaj Parashqevi Simakut ishin të pranishme që në hapje të prezantimit.
Dy fjali nga një intervistë e këngëtares në vitet ’90 u përdorën si pjesë e narrativës së koleksionit, ndërsa një fotografi e saj duke performuar gjatë viteve ’80 ishte përfshirë edhe në “moodboard”-in frymëzues të projektit.
Kulmi erdhi në finale, kur Ilirjani u shfaq në pasarelë nën tingujt e “E duam lumturinë”, kënga me të cilën Parashqevi Simaku fitoi Festivalin e Këngës.
Momenti nuk synonte të rikrijonte të kaluarën, por ta sillte atë në një formë të re përmes modës, kujtesës dhe simbolikës.
Në sallë ishte e pranishme edhe Fern Mallis, themeluesja e New York Fashion Week dhe një prej figurave më me ndikim në industrinë amerikane të modës, e cila ndoqi prezantimin së bashku me një drejtues të CFDA-së.
Nga një fotografi e ruajtur prej dekadash, deri te dritat e pasarelës në New York, “REMEMBER AW27” solli një fragment të kujtesës kulturore shqiptare në një prej skenave më të njohura të modës botërore.














































