Sipas “The Athletic”, përmes “SPORT”, brenda dhomës së zhveshjes mbizotëron bindja se ekipi duhet të ruajë qetësinë dhe besimin te projekti i trajnerit Hansi Flick.
Humbja 4-2 ndaj PSG-së në Ligën e Kampionëve dhe disfata 2-1 në “El Clasico” kanë nxjerrë në pah disa dobësi në mbrojtje dhe përgatitjen fizike të katalunasve. Megjithatë, lojtarët dhe stafi besojnë se dy rezultatet negative nuk duhet ta zbehin paraqitjen e mirë në fillim të sezonit, kur Barcelona fitoi 11 ndeshjet e para në të gjitha garat.
“Ne nuk ishim ekipi më i mirë në histori më parë, por tani nuk jemi as një katastrofë”, i tha medias një burim nga dhoma e zhveshjes.
I njëjti burim theksoi se objektivi është që skuadra të arrijë formën optimale në muajt vendimtarë të sezonit.
“Këto momente ndodhin gjatë një sezoni futbollistik. Është një sezon shumë i gjatë dhe, siç tha trajneri, e rëndësishme është që të jemi në formë të mirë në prill dhe maj”.
Projekti i Flickut vazhdon ta ketë mbështetjen e lojtarëve dhe drejtuesve të klubit, ndërsa Barcelona tani synon të reagojë në fushë dhe të përmirësojë dobësitë e shfaqura në ndeshjet e fundit./04 Online/















































