Mos e prisni fundin e Behramit, Shaqirit e Xhakës, Kosova do t’ju trajtojë si mbretër, këtu mund ta bëni historinë – thirrje për talentet kosovarë në Zvicër

0
83

Për vite me radhë, futbollistët me origjinë shqiptare nga Kosova, të lindur dhe të rritur në Zvicër, kanë qenë pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit helvetik.

Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Valon Behrami janë vetëm disa nga emrat që kanë lënë gjurmë të mëdha me fanellën e Zvicrës.

Por në fund të eksperiencave të tyre me Kombëtaren helvetike, mënyra se si janë trajtuar ka hapur jo pak pikëpyetje.

Rasti më i fundit është Granit Xhaka, shkruan “Gazeta Express”.

Kapiteni dhe rekordmeni i paraqitjeve të Zvicrës mungon në grumbullimin e Kombëtares për ndeshjet e shtatorit dhe tetorit, pas çështjes së certifikatës së vaksinimit.

Federata Zvicerane e Futbollit ka bërë të ditur se vendimi është marrë në bashkëpunim me vetë Xhakën dhe se situata do të rivlerësohet pas kësaj periudhe.

Dhe, shtrohet pyetja: a po përfundon ylli i Sunderlandit si Valon Behrami dhe Xherdan Shaqiri?

Pra, historia nuk fillon me Xhakën. Valon Behrami, pas Botërorit të vitit 2018, deklaroi se trajneri Vladimir Petkoviq ia kishte komunikuar se nuk llogariste më në të.

Federata zvicerane e paraqiti situatën si një çështje sportive dhe një proces për t’u dhënë hapësirë lojtarëve të rinj.

Vetë Petkoviq më vonë e pranoi se mënyra se si përfundoi gjithçka me Behramin nuk ishte ajo që duhej të kishte ndodhur dhe tha: “Ai nuk e meritonte”.

Pastaj është Xherdan Shaqiri. Një nga figurat më të mëdha të futbollit zviceran të gjeneratës së tij, Shaqiri u largua pa bujë, pa vlerësim të madh dhe pa një lamtumirë siç e meritonte nga Kombëtarja në vitin 2024, pas 125 ndeshjeve dhe 32 golave.

Ai ishte pjesë e shtatë turneve të mëdhenj me Zvicrën dhe shënoi në çdo Botëror dhe Evropian nga viti 2014 e tutje.

Dhe, pikërisht këtu duhet të nisë një debat serioz në Kosovë.

A duhet talentet e rinj kosovarë në Zvicër ta shohin gjithmonë Zvicrën si destinacionin automatik? Ndoshta jo.

Sepse, një talent kosovar i lindur në Zvicër, apo në cilindo vend tjetër, duhet ta dijë se ekziston edhe një rrugë tjetër – Kosova.

Një Kombëtare ku ai nuk është thjesht një lojtar tjetër në një sistem të madh, por mund të bëhet pjesë e identitetit të një Kombi të tërë.

Ku mund të vlerësohet prejardhja e tij.

Ku mund ta ndiejë se është një prej nesh.

Ku një ditë, kur karriera të jetë drejt fundit, nuk do të jetë thjesht një emër në një listë statistikash, por një nga figurat që e ka shkruar historinë e Kombëtares.

Ata duhet ta dinë se çfarë do të thotë të luash për Kosovën.

Talentet kosovare në Zvicër duhet ta dinë: Kosova i pret. Kosova i vlerëson. Kosova i do.

Sepse, rastet e Behramit, Shaqirit dhe Xhakës na dhanë një mësim: Kur je i nevojshëm, të gjithë të duan. Por një Kombëtare e vërtetë duhet të të qëndrojë pranë edhe atëherë kur nuk je më në kulmin e karrierës.

Prandaj, për talentet kosovare në Zvicër, mesazhi duhet të jetë i qartë: Mos e shikoni Kosovën si zgjedhjen e dytë. Shikojeni si vendin ku mund të bëheni pjesë e historisë. /Gazeta Express