Memli Krasniqi refuzon ftesën e Kurtit: Takohemi vetëm për marrëveshjen finale për njohjen e ndërsjellë

0
346

Lideri i Partisë Demokratike të Kosoës, Memli Krasniqi, nuk do të marrë pjesë të martën në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti, me përfaqësuesit e partive opozitare.

Memli Krasniqi i ka kthyer përgjigje me shkrim kryeministrit Albin Kurti,në të cilën edhe bën të ditur se nuk do të marrë pjesë në këtë takim.

“Aktualisht, e tëra që po shohim është se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik, duke përfshirë riciklimin e marrëveshjeve të kaluara. Sa i takon zbatimit të përgjegjësive që keni si udhëheqës i Dialogut, unë ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj dhe te qeverisë për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundim të ligjit dhe lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por, nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjegjësi tuajat. Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të Dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë”, është shprehur kreu i PDK-së Memli Krasniqi.

Përpos kësaj, ai ka deklaruar se qëndrimi i PDK-së mbetet i njëjtë dhe konsistent, në mbështetje të dialogut, të fokusuar në arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e që mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Në procesin e Dialogut ne ju kemi dhënë hapësirën e nevojshme, juve dhe Qeverisë, për të kryer detyrat tuaja në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe qëllimeve tona shtetërore. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike”, tha Krasniqi.

Leave a Reply