Mbrojtja e mjedisit nxit bashkëpunimin e Komunës së Prizrenit me OJQ-të

0
447
Foto: Arkiva - Komuna e Prizrenit

Gjendja mjedisore në Komunën e Prizrenit paraqet sfidë për të gjithë akterët e shoqërisë, të cilët duhet të kontribuojnë për parandalimin e degradimit të mëtejmë është thënë të premten në takimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike me aktivistët e shoqërisë civile. Këta të fundit kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth praktikave të ndotjes së mjedisit në zona të ndryshme të komunës si dhe për politikat ndëshkimore joadekuate.

Sipas organizatorëve, qëllimi i këtij takimi ka qenë shqyrtimi i mundësisë për një bashkëpunim më efektiv në mes të Komunës dhe OJQ-ve që veprojnë në fushën e mjedisit, respektivisht diskutimi për zhvillimin e politikave më të mira për një mjedis të pastër.

“Po synojmë që në bashkëpunim me shoqërinë civile me i bashkërendit disa veprime në drejtim të përmirësimit të gjendjes mjedisore, respektivisht ndërmarrjes së masave që do të shkojnë në drejtim të mbrojtjes së ambientit”, ka thënë drejtori i DSHP-së, Osman Krasniqi. Sipas tij, ky planifikim duhet të jetë në raportin e mbikëqyrjes së shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve të komunës së Prizrenit, në kuptimin e mbrojtjes së mjedisit, duke marrë parasysh ajrin, tokën dhe ujin. Ai ka pohuar se vetë dendësia e banimit në këtë komunë shton mundësitë për ndotje të mjedisit dhe dëmtim të biodiversitetit.

“Prizreni është një vendbanim me dendësi të madhe të banimit dhe mundësia e ndotjes së mjedisit gjithmonë është potencialisht e mundshme. Paralel kësaj duhet të ketë vëmendje të shtuar në mënyrë që mos të vijmë në situata që munden me qenë ndoshta edhe katastrofale për bimësinë, jetën e kafshëve, apo më mirë thënë biodiveristeti mundet me e u rreziku për me u shkëput, shkatërru, në pasuritë tona natyrore”, ka deklaruar Krasniqi, duke shtuar se vlerat natyrore duhet t’i trashëgojnë edhe gjeneratat e ardhshme. “Parimi kryesor duhet të jetë që ky është vendi ynë, kjo është komuna jonë dhe të gjithë në një kuptim kemi hise me e mbrojt mjedisin”.

Ndërsa udhëheqësi i sektorit të menaxhimit të mbeturinave në DSHP, Muhamet Bajrami ka nënvizuar se mjedisi është sfidë për të gjithë, jo vetëm për Komunën e OJQ-të, por për gjithë banorët e Komunës së Prizrenit.

“Sektori i mjedisit dhe menaxhimit të mbeturinave ka si objektiv parandalimin dhe rikuperimin e dëmeve që i shkaktohen mjedisit… Ndërsa dëmi që i shkaktohet mjedisit është sfida më e madhe, me të cilën ne përballemi çdo ditë”, ka thënë Bajrami.

Në anën tjetër aktivistë nga OJQ të ndryshme kanë theksuar shembuj të praktikave të ndotjes, që nuk janë ndeshur me norma të duhura ndëshkimore, teksa kanë vënë në pah edhe nevojën për përmirësimin e infrastrukturës si për menaxhimin e mbeturinave ashtu edhe të ujërave të zeza.

Arian Krasniqi nga klubi i kajakut “Lumbardhi” ka shprehur qëndrimin se eksploatimi i inerteve nga lumenjtë ka dëmtuar shtretërit e tyre, sikurse edhe derdhja e ujërave të zeza, ndërkohë që rrjedha e lumenjve shërben edhe si deponi për hedhjen e mbeturinave të ndryshme. Ai ka shtruar nevojën e ndërmarrjes së masave nga autoritetet përgjegjëse me qëllim të ndalimit të degradimit të vlerave natyrore në territorin e Komunës së Prizrenit.

Paraprakisht nënkryetarja për komunitete e Komunës së Prizrenit, Memnuna Ajdini ka pohuar se korniza ligjore për parandalimin e ndotjes së mjedisit ekziston, por se rezultatet nuk po janë të mjaftueshme sa i përket ndalimit të degradimit. “Mbrojtja e mjedisit është një hap i domosdoshëm që duhet ta përmbushim edhe në aspektin e integrimeve evropiane”, ka thënë ajo, duke shtuar se edukimi i hershëm për çështjet mjedisore është i domosdoshëm, paralelisht me zbatimin rigoroz të politikave ndëshkimore kundër personave që veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme ndaj mjedisit./KOHA

Leave a Reply