Lukaku: Kam folur me trajnerin e ri, qëndroj për të fituar sërish

0
290

Largimi i Antonio Contes vetëm pak ditë pasi festoi titullin kampion të 19 në historinë e klubit, tronditi jo pak ambientin zikaltër, që po përgatitej për një periudhë të gjatë dominimi.

Gjithçka u bë edhe më shqetësuese, kur drejtuesit e lartë të klubit pranuan se e kanë të domosdoshme të shesin një apo dy titullarë, teksa mediat nxituan të nxjerrin emrin e Lukakut si kandidat për t’u larguan me destinacion Londrën.

Megjithatë vetë sulmuesi qetësoi tifozët zikaltër me një intervistë për mediat belge, pasi zbuloi se ka folur me trajnerin e ri, Simone Inzaghi dhe se ka vensosur të qëndrojë në Milano.

“Kam folur me trajnerin e ri dhe ndoshta nuk duhej ta zbuloja këtë, por ishte një bisedë mjaft pozitive. Do të qëndroj te Interi dhe sfida e radhës do të jetë një tjetër titull kampion, këtë herë me stadiumin e mbushur plot”, u shpreh numri 9 i zikaltërve.

Sulmuesi belg u transferua në Milano verën e 2019-ës me këmbënguljen e jashtëzakonshme të Antonio Contes dhe pranon se i erdhi keq për largimin e këtij të fundit, por thekson se zikaltrit i kanë të gjitha kartat në rregull për të fituar të tjerë trofe.

“Gjithçka kam arritur këto dy vite, janë padyshim edhe meritë e Contes, ndaj më erdhi keq kur mësova për largimin e tij. Megjithatë ne jemi një grup me djem të rinj, plot vullnet për të bërë mirë, ndaj do të luajmë për të fituar të tjerë trofe”, deklaroi Romelu Lukaku./SS

Leave a Reply