I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka nisur vizitën në Kosovë mëngjesin e sotëm. Ai u pa duke hyrë në Qeverinë e Kosovës për t’u takuar me kryenegociatorin e Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
Pas takimit, ai ka bërë të ditur se do të ketë edhe një takim në kuadër të dialogut, por nuk ka dashur ta bëjë të ditur datën.
“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje. Po punojmë me Kosovën dhe Serbinë që procesi të përshpejtohet. Ajo është pjesë e negociatave të Kosovës me BE-në dhe të Serbisë me BE-në, pra i shtohet i rëndësia. Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur”, ka thënë Lajçak para gazetarëve.
Vizita e emisarit të BE-së në Kosovë synon përgatitjen e një rundi të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.
Kësaj radhe, siç raportoi REL, Lajçak pas Prishtinës nuk do ta vizitojë Beogradin.
Javën e kaluar, gjatë pjesëmarrjes në forumin për siguri, Globsec, emisari evropian u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Pragë.
Bashkimi Evropian së fundi ka përsëritur thirrjet ndaj autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar, që sipas BE-së, mund të rrisin tensionet në veriun e banuar me shumicë serbe.
BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania dhe Gjermania kanë kritikuar Kosovën për, siç kanë thënë, veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, në veriun e banuar me shumicë serbe.
Këto kritika janë bërë pasi më 30 gusht, Kosova mbylli pesë institucione që funksiononin sipas sistemit serb.