Kuvendi me seancë të veçantë, deklaratë në mbështetje të Rezolutës së PE-së që dënon sulmin në Banjskë

0
118

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë të veçantë, me të vetmen pikë të rendit të ditës miratimin e një deklarate në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Seanca është caktuar të mbahet në ora 11:00

Për të dënuar sulmin në Banjskë, javën e kaluar Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë.

Eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësojnë atë “të rrezikshme.” Rezoluta në fjalë thekson se autorë të sulmit terrorist janë “para ushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”

Rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit ta dënojnë atë.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme. /Reporteri

Leave a Reply