Kurti: S’ka kurrfarë keqpërdorimi, të korruptuarit i gjeni tek elita e vjetër politike, gjykatës e mediat

0
142

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka kurrfarë keqpërdorimi e korrupsioni, pasi në Ministrinë e Industrisë u arrestuan dy zyrtarë e një biznesmen, nën dyshimet për dallavare me rezervat shtetërore.

Kurti ka thënë se rezervat shtetërore i ka gjetur 300 mijë euro e se Qeveria e tij i ka bërë 25 milionë euro për dy vjet.

Ai i ka dhënë mbështetje ministres Rozeta Hajdari.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se ata që kanë qenë më herët në pushtet po duan ta ndryshojnë situatën duke e mbrojtur krimin. Ai ka futur këtu edhe gjykatat, prokurorët e mediat që sipas tij janë keqpërdorur për mbështetje të krimit.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare”, ka shkruar ai në Facebook.

Kryeministri ka deklaruar se ministritë kanë deponuar qindra kallëzime penale, por se prokuroria nuk është marrë me to.

“Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit. Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t’i fshehin edhe shumё gjatё”, ka përfunduar Kurti./Koha

Leave a Reply