PDK ka njoftuar dje se “Grupi Parlamentar” i saj, dje përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar presidentes Justina Shiroka-Pula, rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për Specialen pas ndryshimeve që Kuvendi miratoi në natën kur u zgjodh edhe presidentja.
Kjo kërkesë për kthim në Kuvend ka ndarë disa anëtarë të PDK’së nëse u desh të ndërmerrej ky hap ose jo.
Ndryshe nga argumentimi që PDK dha në njoftimin për kthim të këtij ligji ku tha se me këtë synonte të shmangte pengesat e mundshme në zbatimin e ligjit, deputeti Përparim Gruda, i cili bashkë me të tjerë është hartues i ndryshimeve, këmbënguli se ato nuk kishin asnjë gabim.
Përmes një postimi në Facebook, Gruda dje tha se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara tha se qëndron prapa ligjit.
“Asnjë. Jam krenar për punën që kam bërë, bashkë me ekipin me të cilin e kemi hartuar këtë ligj. Është konsultuar me këdo që është dashur të konsultohet. Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji. E di sa punë, sa përpjekje dhe sa përgjegjësi ka pasur pas tij. Do të kisha preferuar që sot të flisnim për zbatimin e ligjit, jo për rihapjen e debatit mbi të”, tha Gruda.
Ai shtoi se, megjithatë nëse Kuvendi e rishqyrton, kjo duhet të bëhet “me përgjegjësi, me argumente juridike dhe me vendosmëri për ta ruajtur thelbin e tij”.
Kundërshtimin e Grudës për këtë çështje e ka mbështetur nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, duke e bërë “like” postimin.

Pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga kreu i partisë, organet drejtuese të partisë kanë caktuar Çitakun si ushtruese të detyrës së kryetares.
Gjatë kësaj periudhe do të organizohen dhe mbahen zgjedhjet e brendshme të partisë në të gjitha nivelet, kishte njoftuar partia.















































