Një spektakël i veçantë astronomik pritet të ndriçojë qiellin në fund të tetorit. Të apasionuarit pas fenomeneve qiellore do të kenë mundësinë të shijojnë të ashtuquajturën “Hëna e Gjuetarit”, e cila do të shfaqet e plotë të hënën, më 26 tetor 2026.
Sipas të dhënave astronomike, kulmi i hënës së plotë pritet të regjistrohet rreth orës 05:12 të mëngjesit me orën e Shqipërisë, ndërsa fenomeni do të jetë i dukshëm edhe gjatë mbrëmjes së së dielës, më 25 tetor, si dhe të hënën në mbrëmje. Hëna e plotë e tetorit njihet tradicionalisht si “Hëna e Gjuetarit”, një emërtim që lidhet me zakonet e hershme të popujve indigjenë të Amerikës së Veriut dhe me kalendarët e vjetër bujqësorë.
Ky emër e ka origjinën nga periudha e vitit kur përfundonin korrjet dhe fushat mbeteshin të hapura, duke ua lehtësuar gjuetarëve dallimin e kafshëve që dilnin për t’u ushqyer. Drita e hënës shfrytëzohej gjithashtu për të zgjatur aktivitetet në natyrë përpara mbërritjes së dimrit. Për ata që dëshirojnë ta vëzhgojnë fenomenin, momenti më mbresëlënës pritet të jetë menjëherë pas perëndimit të diellit, kur hëna nis të shfaqet mbi horizont. Në këtë moment, për shkak të një iluzioni optik, ajo mund të duket më e madhe se zakonisht, ndërsa atmosfera mund t’i japë një nuancë portokalli ose të kuqërremtë, duke krijuar një pamje të veçantë në qiellin e vjeshtës.
Ekspertët këshillojnë që vëzhgimi të bëhet në vende të hapura, larg ndriçimit të fortë të qyteteve, ku pamja e qiellit është më e qartë. Për të shijuar “Hënën e Gjuetarit” nuk nevojiten teleskopë apo pajisje të posaçme, pasi fenomeni mund të vëzhgohet lehtësisht me sy të lirë, nëse kushtet atmosferike janë të favorshme.















































