Konfirmimi i DASH dhe detajet e Ministrit Maqedonci për raketat në vlerë prej 75 milionë dollarësh që pritet t’i blejë Kosova

0
83

Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Lajmi që fillimisht u tha të jetë konfirmuar nga ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill në takimin që dje kishte me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, u konfirmua më pas nga autoritetet në Kosovë dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

DASH ka konfirmuar të enjten mbrëma për gazetën online Reporteri.net   se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i.

DASH-i po ashtu tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

Sipas DASH-it, shitja e këtyre armëve mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”, thuhet tutje në përgjigjen e DASH-it.

Ndërkaq edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci konfirmoi se gjatë këtyre ditëve, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar konfirmimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për furnizimin me sistemin raketor anti-tank “Javelin” me efikasitet të lartë veprimi, që është i nevojshëm për FSK-në. Ai tha se kërkesa për armatim është adresuar kryesisht nga vitit 2020.

Maqedonci në RTK, tha se SHBA-të në vazhdimësi kanë qenë partneri kyç i Kosovës që e kanë përcjell në vazhdimësi zhvillimin e FSK-së dhe e kanë mbështetur tranzicionin e saj.

“Në vazhdimësi prej vitit 2019 kur Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar zbatimin e planit të tranzicionit ne kemi vendos planifikimin në vend në mënyrë që të adresojmë kërkesat e nevojshme për të gjitha vendet me të cilat bashkëpunojmë në mënyrë që të furnizojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës me sisteme të armatimit. Në këtë aspekt gjatë gjithë kësaj kohe, e veçanërisht pas vitit 2020 kur në qeverinë Kurti 1 ne kemi filluar të adresojmë kërkesat e bashkëpunimit në aspektin e mbrojtjes për blerje ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këto ditë siç u bë ditur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranuan kërkesën për sistemin “ Javelin” që është një sistem raketor anti-tank modern dhe me efikasitet të lartë dhe që është pjesë e inventarit të nevojshëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, ky vendim është i rëndësishëm veçanërisht duke pasur parasysh faktin që Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet në një forcë moderne dhe të gatshme për të realizuar detyrat e saj ndër të cilat është edhe mbrojtja e territorit.

Ai bëri me dije se programi i bashkëpunimit me SHBA parasheh edhe blerje të tjera.

“Po sistemet do të blihen bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit…Aktualisht jemi në fazën e zhvillimeve të kapaciteteve të këmbësorisë që do të jenë të gatshme për të zhvilluar operacione luftarake, e për të kaluar në fazën tjetër që do të jetë faza e kapaciteteve kundërajrore, faza e mbështetjes ajrore dhe faza e zhvillimeve të kapaciteteve logjistike të FSK-së”, deklaroi Maqedonci.

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur zhgënjim të madh lajmin për kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave, duke shtuar se Serbia, së bashku me SHBA-në, do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.

“Për ne, është shumë e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe që Serbia të vazhdojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan”, tha presidenti serb.

Raketa “Javelin” prodhohet që nga viti 1994 dhe çdo herë është përmirësuar. Ushtria amerikane e përdori për herë të parë këtë raketë në Irak dhe Afganistan më 2003.

Ajo u bë e njohur në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina i ka përdorur gjerësisht këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse. Përdoret edhe për shkatërrimin e tankeve./Reporteri.net/

Leave a Reply