Komuna e Prizrenit vazhdon me dëgjimet publike për përgaditjen e buxhetit për vitin 2023

0
252
Foto: Arkiva - Komuna e Prizrenit

Zyrtarët e Komunës së Prizrenit, gjatë ditës së hënë, kanë vazhduar me mbajtjen e dëgjimeve publike me qytetarë për përgatitjen e buxhetit komunal për vitin 2023 me banorë të fshatrave: Hoçë e Qytetit, Jeshkovë, Malësi e Vërrinit, Poslisht, Billushë, Vlashnje, Kobaj, Grazhdanik dhe Atmaxhë.

Ymer Berisha, shef i njësisë për marrëdhënie me publikun, në hapje të dëgjimit tha se do të diskutohet dokumenti më i rëndësishëm i komunës, buxheti për vitin 2023, dhe do të regjistrohen kërkesat e qytetarëve.

Kryetari Shaqir Totajka u shpreh se bazuar në buxhetin e komunës, kërkesat e banorëve të kësaj zone do të hyjnë në buxhetin e vitit 2023, i cili do të jetë gjithë përfshirës dhe se “e bëjmë së bashku me ju, kërkesat do të hyjnë në buxhet duke u bazuar edhe në prioritet që ju i keni”.

Për vijat buxhetore të buxhetit për vitin 2023 ka folur Sulltan Badalli, drejtor për Ekonomi dhe Financa duke thënë se buxheti i vitit 2023 ka një rritje të konsiderueshme dhe është i ndarë në kategori: Investime kapitale, administratë komunale, investime në arsim, shëndetësi dhe të hyrat vetanake nga buxheti i Komunës së Prizrenit.

Kërkesat e qytetarëve kishin të bënin me: Rregullimin e aneksit të shkollës, rregullimin e rrethojave të shkollës, rregullimin e ndriçimit publik, renovimin e rrugëve, shenjëzimin e rrugëve (vertikal-horizontal), zgjerimin e urës, riparimin e rrugëve dhe kanaleve bujqësore, rregullimin e terreneve sportive, vendosjen e kamerave të sigurisë, rregullimin e kanalizimeve, rregullimin e shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta, rregullimin e trotuareve, rregullimin e kabineteve në shkolla dhe rregullimin e sistemit të ujit të pijes.

Grupi punues, i formuar me vendim të kryetarit Shaqir Totaj, ka përgatitur një dokument të veçantë të buxhetit dhe ndarjeve buxhetore në pika të shkurtra, me ç’rast, u është shpërndarë të gjithë qytetarëve të cilët ishin të pranishëm në këtë dëgjim publik.

Për mbajtjen e këtij dëgjimi publik, do të përgatitet raport dhe procesverbal i cili do të publikohet në ueb faqen zyrtare të Komunës në afatin ligjor, në rubrikën dëgjime buxhetore.

Leave a Reply