Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit ka publikuar njoftimin për mbështetjen financiare të prindërve, fëmijët e të cilëve kanë lindur gjatë vitit 2024.
“Njoftohen të gjithë prindërit, veçanërisht nënat (lehona), të cilat kanë lindur fëmijë gjatë periudhës nga 1 janari 2024 deri më 31 dhjetor 2024, se mund të aplikojnë për mbështetje financiare nga Komuna e Prizrenit”, thuhet në njoftimin e DPMS-së, raporton Telegrafi.
Aty theksohet se aplikimet, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm, sipas Rregullores komunale për kushtet, kriteret dhe procedurat për ndarjen e subvencioneve, transfereve dhe granteve, duhet të dorëzohen në sportelet e administratës komunale.
Prindërit do të kenë mundësi që aplikimet ti dorëzojnë brenda 30 ditëve të ardhshme.
Sipas kritereve, aplikuesit duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës dhe të dy prindërit duhet të jenë banorë të Komunës së Prizrenit, raporton Telegrafi.
Ndërkaq dokumentet e nevojshme për aplikim janë: dokumenti i identifikimit, ekstrakti i lindjes nga regjistri civil, deklarata e bashkësisë familjare dhe vërtetimi për llogarinë bankare të njërit prej prindërve.
Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Rasim Demiri ka bërë të ditur se programi i mbështetjes financiare për familjet me fëmijë të lindur gjatë vitit 2024, ka për qëllim të ofrojë mbështetje shtesë për prindërit në rritjen e fëmijëve dhe të përmirësojë cilësinë e jetesës së familjeve.
“Shumat e mbështetjes janë: për familjet që kanë një fëmijë të lindur në vitin 2024, jepet ndihmë financiare prej 250 euro; për familjet me dy fëmijë, nga të cilët njëri është i lindur në vitin 2024, jepet ndihmë financiare prej 300 euro dhe për familjet me tre fëmijë, nga të cilët njëri është i lindur në vitin 2024, jepet ndihmë financiare prej 350 euro”, është shprehur Demiri, raporton Telegrafi.
Ai ka theksuar se palët që kanë nevojë për më shumë informacione mund ta kontaktojnë administratën komunale. /Telegrafi/