Misioni i KFOR-it në Kosovë, EULEX-i dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët më 7 maj, në stërvitjen e quajtur “Golden Saber 2024”.
KFOR-i ka njoftuar të hënën se kjo stërvitje në kampin Vrelo do t’i testojë aftësitë për të zbatuar procedura të përbashkëta në menaxhimin e krizave dhe të skenarëve të sigurisë..
“Stërvitja do të përfshijë një numër të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe mjete që operojnë në të gjithë zonën e stërvitjes si dhe në rrethinat e tij e përgjatë rrugëve kryesore. ‘Golden Saber 2024’ është pasqyrim i bashkëpunimit dhe i përkushtimit tonë të gjatë për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e komuniteteve”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i ka bërë të ditur se një stërvitje e tillë “simbolizon përkushtimin tonë të fortë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë”.
“Duke i bashkuar forcat dhe aftësitë tona, ne demonstrojmë gatishmërinë tonë për t’i adresuar sfidat dhe përkushtimin tonë për ruajtjen e stabilitetit rajonal”, thuhet tutje, duke shtuar se pret që kjo stërvitje të kryhet me sukses.