Antonio Conte është mes dyshimeve nëse mund ta vazhdojë aventurën në Premier League me klubin e Tottenham. Drejtuesit e londinezëve do ta vlerësojnë italianin në fundin e sezonit, ku shumë peshë do të ketë renditja përfundimtare në kampionat. Megjithatë, nga ana tjetër, Conte vijon të mbetet i përqendruar te skuadra madje duke menduar edhe për sezonin pasardhës ku së fundmi shprehet se Harry Kane do të luajë nën drejtimin e tij edhe pse ka shumë oferta.
“Mendoj se rreth të ardhmes së Kane, ata që duhet të flasin në këtë rast janë drejtuesit. Besoj se projekti i tyre është që Kane të qëndrojë për gjithë karrierën e tij në Londër. Ai është një sulmues i madh dhe kështu klubi nuk kërkon ta humbasë në asnjë moment. Por, ndonjëherë futbolli është i paparashikueshëm dhe ky vendim i takon Kane dhe drejtuesve të Tottenham.
Premier League është padyshim kampionati më i fortë. Në garë për vendin e katërt janë shumë skuadra si Liverpool apo edhe Chelsea. Guardiola është shprehur shumë saktë në momentin që tha se në Angli çdo ndeshje është një betejë. Unë mendoj se në të ardhmen e afërt futbolli do të bëhet si NBA dhe ne duhet të jemi gati për këtë”, u shpreh Conte.
Kjo deklaratë e italianit në lidhje me futbollin që do të shndërrohet si NBA në Angli është përkthyer si një mesazh që shumë shpejt skuadrat nuk do të kenë më diferencë mes tyre dhe se të gjithë do të mund të luftojnë për titullin./SS