Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar në Kuvendin e Kosovës se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e nismës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo tha se për LDK-në, rruga e vetme për ndryshimin e një aktgjykimi është rruga gjyqësore, përmes apelit dhe shterimit të mjeteve juridike të parashikuara me ligj.
“Për LDK-në, rruga e vetme për ta ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore, përmes apelit dhe shterimit të mjeteve juridike të parashikuara me ligj”, tha Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, çdo pretendim për gabime, padrejtësi apo shkelje gjatë procesit duhet të argumentohet dhe të shqyrtohet nga instancat kompetente.
Ajo theksoi se institucionet e Kosovës, brenda përgjegjësive të tyre ligjore, duhet të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për një mbrojtje profesionale dhe efektive.
Lushaku-Sadriu tha se veprimet e njëanshme, pa koordinim me SHBA-në dhe BE-në dhe pa një vlerësim të qartë të pasojave juridike, mund të kenë pasoja për Kosovën.
Deputetja e LDK-së theksoi gjithashtu se, pavarësisht zhvillimeve, Kosova duhet të mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë për viktimat.
“Për këto arsye, LDK-ja nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme”, përfundoi ajo.
Në fjalimin e saj, Lushaku-Sadriu tha se UÇK-ja dhe lufta e saj janë të shenjta për LDK-në, duke theksuar se asnjë përgjegjësi individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive apo të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës.
Ajo shtoi se çdo vendim institucional duhet t’i shërbejë drejtësisë, mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve dhe interesit të shtetit të Kosovës.















































