Hoti: Pa u zgjidh fati i personave të zhdukur s’mund të ketë marrëveshje me Serbinë

0
216

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, Andin Hoti, ka folur mbi deklarimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mbi atë se nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë pa u zgjidhur fati i personave të zhdukur.

Hoti tha se deklarata e Kurtit qe normale, pasi sipas tij, nuk mund të ketë asnjë proces normal të shtetit të Kosovës dhe asnjë marrëveshje me Serbinë pa u ballafaquar shteti serb me të kaluarën.

“Por e kaluara nënkupton edhe gjëra të tjera ku përfshihet edhe kërkim-falja, por e kemi thënë edhe në Bruksel kur kemi qenë se pa u zgjidh fati i personave të zhdukur nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë dhe unë e përkrahi një deklaratë të tillë të kryeministrit Kurti”, është shprehur Hoti në “Edicioni Special” në klan Kosova.

Ai thotë se në takimet e fundit të delegacionit të Kosovës në Bruksel, kërkesat e tyre ishin të qarta që kanë të bëjnë me atë se Bashkimi Evropian duhet t’i ushtrojë presion dhe kushtëzime Serbisë në lidhje me zbardhjen e fatit të të pagjeturve, sepse sipas tij, forma të tjera deri më sot nuk kanë treguar sukses dhe këtë më miri sipas Hotit tregon numri i personave që akoma figurojnë të zhdukur që nga koha e luftës së fundit në Kosovë.

“Nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje as me Brukselin por as me Serbinë, por ne jemi të qartë me kërkesat tona dhe ne nuk do të ndërrojmë qëndrim derisa BE-ja dhe shtetet tjera tona mike të rrisin trysnin dhe t’i fusin kushtëzimet e tyre drejtë Serbisë sepse vetëm Serbia është ajo që i di informatat për personat e zhdukur”.

“Kur mund të ndodhë një kushtëzim i tillë mund ta dijë vetëm BE-ja. Ne do të vazhdojmë t’i shpalosim kërkesat tona dhe ne nuk mund të ecim përpara pa u zgjidhë këto kërkesa tona. Ne nuk kthehemi mbrapa pa u ballafaquar Serbia me të kaluarën , dhe një gjë e tillë nuk duhet ta mendojmë që të tejkalohet sepse e dimë që edhe mund të përsëritet”, është shprehur Hoti, njofton Klankosova.tv.

Leave a Reply