Në ditën e dytë me radhë ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka vazhduar dëshminë para trupit gjykues në Gjykatën Speciale.
Ai i pyetur nga prokurori ka treguar për kohën sa ishte në frontin e luftës, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haradinaj deklaroi se gjatë luftës në Kosovë nuk kanë synuar civilët, por vetëm kanë mbrojtur vendin dhe janë përballur me ushtrinë serbe, njofton Klan Kosova.
“Po, kam vrarë ushtarë serbë edhe oficerë, që ata thonë që është oficer se unë nuk e kam ditë çka ka qenë, po nuk ka këtu të bëjë me civil asnjë gjë, unë nuk jam kthyer nga Suedia edhe për të dhënë lule, derisa jam kthyer të hyj në front. Kam pranuar të vdes vetë. Unë kam qenë në front, po flas për pikën e frontit, nuk jam marrë me civilë, as nuk jam marrë pas luftës me më këto sende” ka thënë Haradinaj.
Ish-nënkryetari i Veteranëve të luftës në këtë seancë tregoi edhe pse e refuzoi vizitën e zyrtarëve të ministrisë së drejtësisë, duke thënë se edhe vizitat nga zyrtarët shtetëror po i regjistrohen si të familjes.
Tutje Haradinaj iu kundërvu ZPS-së duke i akuzuar se kanë uzurpuar kompetencat organeve të rendit në Kosovë përfshirë këtu Gjykatën Kushtetuese, institucionet e drejtësisë e avokatin e popullit.