Kush do ta marrë drejtimin e PDK-së? Ismaili e Gruda pretendentë

0
46

PDK-ja duhet ta zgjedhë së shpejti një kryetar dhe pretendentët mund të parashikohen. Bedri Hamza dha dorëheqje dje. Ata që mund ta pasojnë nuk folën. Të tjerë treguan se nuk e synojnë pozitën e kryetarit.

Gazeta Express

Një proces i brendshëm zgjedhor e pret Partinë Demokratike të Kosovës pasi Bedri Hamza njoftoi dje për dorëheqjen nga pozita e kryetarit, pas rreth një viti në krye të partisë.

Merret vesh se Uran Ismaili dhe Përparim Gruda mund të jenë dy kandidatët që do ta synojnë pozitën e kryetarit të partisë më të madhe opozitare.

Ismaili, nënkryetar i PDK-së, synon ta bëjë hapin më të madh të ngjitjes brenda hierarkisë së partisë.

Ai ka qenë numri dy konstant në listat zgjedhore të PDK-së në disa zgjedhje parlamentare dhe është përpjekur ta sjellë një qasje ndryshe në politikë.

Kundërkandidat mund ta ketë Përparim Grudën, deputetin i cili i ka ngjitur shpejt shkallët e konsolidimit të figurës së tij brenda PDK-së, por edhe jashtë.

Gruda ishte njeriu i dytë më i votuar i PDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare në qershor dhe është bërë gjithnjë e më shumë figurë përfaqësuese e kësaj partie në Kuvend, në konferenca për shtyp, por edhe në studio televizive.

Megjithatë, në PDK ende askush nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar/e.

PDK-ja njoftoi dje se sekretarja e partisë, Vlora Çitaku është caktuar ushtruese e detyrës së kryetares.

Gjatë periudhës kur Çitaku do të jetë sipas detyrës në udhëheqje të partisë, PDK-ja tha se “do të organizohen dhe mbahen zgjedhjet e brendshme të partisë në të gjitha nivelet”.

Gazetari Baton Haxhiu beson se Ismaili do të zgjidhet kryetar i PDK-së. Ai tha mbrëmë në Pressing në T7 se në betejën për kryetar të partisë nuk do të jetë Gruda.

“Unë besoj që Uran Ismaili do të jetë i zgjedhuri i PDK-së për kryetar. Unë besoj që Partia Demokratike do të vendosë për Uranin”, tha ai.

Haxhiu thotë se “beteja do të jetë mes Enver Hoxhajt dhe Uran Ismailit”.

“Është një betejë mes një ideje vizionare, menaxheriale dhe një ideje teorike çfare e ka Enver Hoxhaj”, tha ai.

Për Grudën, Haxhiu tha se “do t’i vijë radha shpejt” në “një të ardhme të afërt”.

Hoxhaj, ish-kryediplomat i vendit, ishte bërë ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së, pas dorëheqjes së Kadri Veselit në nëntor të vitit 2020, kur Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021, Hoxhaj kishte qenë kandidat i PDK-së për kryeministër.

Ai kishte synuar ta merrte drejtimin e partisë në nëntor të vitit të kaluar, duke thënë se PDK kishte “nevojë për vizion të ri”, por në atë pozitë ishte zgjedhur Hamza.

Ata që s’garojnë

Nënkryetari i PDK-së, Shaqir Totaj, i cili është kryetar i Prizrenit, tha sot se nuk do ta synojë pozitën e kryetarit të partisë.

“Jo, nuk do te jem kandidat për kryetar te PDK-së. Përqendrimi im mbetet Prizreni dhe puna për realizim te premtimeve qe i kam dhanë elektoratit qe me kanë mbështetur”, tha ai në një përgjigje për Gazetën Express.

As kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, nuk është i interesuar për pozitën e kryetarit të PDK-së.

“Jo. Asnjëherë as kam pasur dhe as nuk kam aspirata”, tha ai mbrëmë për RTV Dukagjinin.