FA Cup bëhet gati për momentin më vendimtar. Faza gjysmëfinale e kompeticionit më të vjetër në botë rikthen edhe njëherë tjetër në vëmendje shembullin më klasik të këtij evenimenti: skuadrat e traditës përballë surprizave të këndshme, që gjithnjë i shtojnë vlerën e duhur FA Cup, si dhe rrisin në maksimum emocionet për të gjithë audiencën.
I tillë është shembulli i Conventry City këtë vit, skuadër e Championshipit, që ka befasuar gjithkënd në Ishull me ecurinë mbresëlënëse deri në fazën e katër ekipeve më të mira. Triumfi i fundit në çerekfinale ndaj Wolves 2-3 me një përmbysje dramatike në minutat e fundit konfirmoi për të disatën herë mitin për magjinë e FA Cup. Sky Blues do të realizojnë një ëndërr të dielën në duelin ndaj një skuadre që e ka fituar 12 herë në histori trofeun e FA Cup, Manchester United, në mitikun Wembley. Për ekipin e Mark Robins kjo do të jetë vetëm gjysmëfinalja e dytë në histori që pas mbërritjes së kësaj etape në sezonin 1986/87.
Po aq i rëndësishëm sa ç’është shkrimi i një kapitulli historik për Convetry, po aq domosdoshmëri ka edhe Manchester United për të shpëtuar këtë sezon me fitimin e Kupës. Djajtë e Kuq nuk kanë shumë vend për të bërë të tjera gabime e si rrjedhojë takimi i së dielës do të vlerësohet me impenjim maksimal për të siguruar finalen e dytë radhazi në kompeticionin 153-vjeçar.
Nëse në duelin mes Conventry City-t dhe Manchester United bëhet fjalë për diferenca të mëdha për cilësinë dhe investimet brenda dhe jashtë fushës, nuk ndodh e njëjta gjë në çiftin tjetër gjysmëfinal, Chelsea-Manchester City. Skuadra e Pep Guardiolës e fitoi këtë trofe në sezonin e shkuar, në finalen ndaj rivalëve të United, dhe në këtë gjysmëfinale do të futet me një motivim të shtuar pas eliminimit të dhimbshëm nga Champions League.
Përballë një Chelsea të gjallëruar në javët e fundit nuk do të jetë aspak e lehtë, gjithsesi. Në pjesën e dytë të sezonit, gjithçka ka filluar të sinkronizohet te Blutë e Londrës. Shenjat e lojës ofensive të Pochettinos kanë filluar të dalin në pah dhe kjo është reflektuar edhe me vetëbesimin e rritur për lojtarët, në veçanti për Cole Palmer, që në ndeshjen e fundit ndaj Evertonit realizoi katër gola për të barazuar kuotën e 20 realizimeve të Erling Haalandit në Premier League.
Nevoja për të fituar një trofe në këtë sezon është mjaft evidente te Chelsea dhe humbja në finalen e Carabao Cup, në shkurt, ndaj Liverpol, sigurisht që ka lënë pas një shije të hidhur, që është shoqëruar, pa dyshim, edhe me dëshirën për t’i kompensuar zhgënjimin tifozëve me një sukses në FA Cup.
Gjysmëfinalet e FA Cup do të luhen në dy ditë të ndryshme në fundjavë. Chelsea-Manchester City do të përballen të shtunën në 18:15, ndërkohë që Convetry-Manchester United të dielën në 16:30./SS