Ekspozita “Përtej Errësirës” – Çka e frymëzoi Gent Smanin?

0
523

Te premtën, me datë 29 dhjetor 2023, në Prizren, në mjediset e Qendrës për Kulturë dhe Art “Shani Efendiu” u hap ekspozita personale e artistit Gent Smani e titulluar “Përtej Errësirës”.

Smani tha se gjithë këto vite punë, gjithmonë e ka ndjerë si obligim moral që këtë ekspozitë ta hapte në Prizren, qytetin ku u lind.

Artisti prizrenas kishte filluar punën për këtë ekspoztë qysh në vitin 2021, ku kishte mbi 25 punime, shumë prej të cilave tashme në koleksione private. Kjo ekspozitë me 16 vepra arti në teknikën e akuarelit e në dimensione të ndryshme ishte produkt i një pune gati 3 vjeçare e artistit.

E kuratori i ekspozitës, shkodrani Fatmir Juka foli për ekspozitën si dhe përvojat me Gent Smanin gjatë këtij procesi.

“Kur shumë asrtistë në këtë moshë rreken për të pasur një stil, Genti tashmë e ka një stil që e dallon atë kilometra larg. Të pasurit stil në një pikturë është shumë e rëndësishme sepse është gjurmë, logo, mundësi e fuqi sepse shoqëria për këto elemente ka nevojë. Që përmes ndërtimit të këtyre elementeve, përmes karakterit e stilit, ta identifikoj veten dhe backgroundin me sfondin e shoqërisë”.

Për të gjithë artdashësit, ekspozita “Përtej Errësirës” do të jetë e hapur deri me datë 12 janar 2024.

“PËRTEJ ERRËSIRËS” / Teksti kuratorial

Rri zgjuar natën, atëherë kur errësira ka mbuluar çdo gjë dhe kur qetësia mbretëron me heshtjen e vet qytetin tim, atëherë kur gjumi ka kapluar çdo send, atëbotë, unë filloj dhe jetoj dhe shoh përtej errësirës gjëra që dita nuk mi jep. Unë jam Gent Smani dhe mendoj se përtej natës, përtej errësirës, ekziston një shteg ku të errtën e kam si mbështetje, siç do shprehej Alain Badiou: Për të zezën (errtën), si jo-ngjyrë e pikturës, duhet të themi, se nuk është e kundërta e dritës, por mbështetja për një dritë tjetër, më tepër sesa për vetë dritën.

Pier Soulage është një piktor që gjithë kohën e tij e shpenzoi në kërkimin e dritës në errësirë.

Sipas tij, ai pohonte sa e sa herë se; ekziston vetëm një trekëndësh piktural, i përbërë nga “gjëja”, që është vepra, ai që e ka përfituar (piktori) dhe atij që e shikon (spektatori). Në këtë trekëndësh, “gjëja-vepra”, është një ndërmjetësim midis kërkimit pjesërisht të verbër të artistit, kërkimit pjesërisht të ndriçuar të spektatorëve dhe se ky raport midis verbërisë dhe ndriçimit, i cili hamendëson tre terma (dy subjekte dhe një gjë), e shpjegon në fund “gjënë-veprën”, atëherë kur vepra flet dhe artisti i dëfton spektatorit shkëlqimin e pafundëm, shkëlqimin e ri, të fshehur në errësirë.

Pra sipas Soulage, në të errtën qëndron forca e kërkimit e njëkohësisht zbulimit… Sa e sa pasione e kanë shtyrë njeriun në historinë vet që t’u turrej errësirave të verbëra dhe t’i shfaqë botës dritë… Kjo është misionare, fisnike dhe e natyrës njerëzore e në fund ajo që shfaqet është magjike dhe të habit. Pra, në këtë përpjekje ka më shumë se një personazh, së pari është dikush që e nis këtë aventurë në errësirë dhe ky është artisti disi i verbër, pastaj vjen spektatori gjysëm i ndriçuar të cilit i tregohet vepra e cila merr kuptim kur shfaqet, atëherë kur nata nuk është më natë, por një pëlhurë a qëndismë e pazbuluar deri në fund. Në këtë kuptim, përtej së zezës së Soulages-it gjendet njëmend pohimi i kulluar piktural i asaj çka është e aftë të bëjë piktura, e pse jo netëve piktorike të Gentit që na zbulohen… hapësira e krijuar për atë që vështron është e tillë që lëvizjet, ecjet, vëzhgimet, bëjnë të mundur ndryshimin në çdo çast se, e errëta vetmitare dhe e ngjeshur e çdo tabloje të Gentit tregon se ajo do mund të vazhdojë, se kufizimi i pikturës e madje, pamatshmëria e saj, është veçse një çast i pafundësisë së vet. Ja sesi e errëta-nata, bëhet mbështetje e përtej së zezës. Edhe ngjyrat “rrëzohen” para kësaj errësire… jo se “bien” por faktojnë pikëmbështetjen e tyre pikërisht mbi këto errësira dritëmbajtëse… e forma po ashtu.

Pikërisht tek forma si armatura mbajtëse e kësaj gjëje-vepre ekziston, një problem. Në art, në pikturë, sikurse në muzikë, nuk bëhet fjalë që të riprodhohen apo të shpiken ca forma, por të kapen ca forca. Madje pikërisht për këtë shkak asnjë art nuk është figurativ por shfaqet si abstrakt. Formula e famshme e Paul Klee-së, “jo të jepet ajo çka është e dukshme, por të bëhet e dukshme diçka’, automatikisht çan errësirën dhe piktura e Gentit fillon e ndërton një gjuhë, aty gjen forcë dhe merr zë… Forca është sipas Gilles Deleuze në raport të ngushtë me ndjesinë: lipset që mbi një trup të ushtrohet njëfarë force që të mund të ekzistojë ndjesia. Bash kjo i kërkohet edhe muzikës, ti bëjë të tingëllojnë ca forca jotingullore, dhe pikturës, ti bëjë të dukshme ca forca të padukshme. Genti e ushtron forcën e tij pikërisht mbi masën e madhe të trupit të natës… Genti ka forcë imagjinative të madhe dhe i nxjerr xhevahiret natës një e nga një e ne ndihemi të pasur e të pafrikësuar nga nata… biles i ndjejmë dhe melodinë…/Nacionale

FOTO

Leave a Reply