Fatkeqësitë nuk po i ndahen Neymarit. Sulmuesi i Kombëtares së Brazilit ka pësuar një tjetër lëndim, këtë herë në ndeshjen mes Santosit dhe Atletico Mineiros, duke i shtuar edhe një kapitull tjetër listës së gjatë të problemeve fizike, shkruan 04 Online.
Ish-ylli i PSG-së dhe Barcelonës u detyrua të largohej nga fusha në pjesën e parë të ndeshjes, me lot në sy, çka tregon seriozitetin e situatës. Deri më tani, nuk është bërë e ditur shkalla e lëndimit, por shqetësimet janë të mëdha – si për klubin e tij, ashtu edhe për përfaqësuesen braziliane.
Neymar u rikthye te Santos në janar të këtij viti nga Al-Hilali, në një transferim që emocionoi tifozët dhe ringjalli shpresat për një “rinisje” të karrierës. Në 13 paraqitje deri më tani, ai ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke treguar shkëndija të talentit të tij të njohur botërisht.
Megjithatë, ky lëndim i radhës ka ngritur sërish pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë fizike të Neymarit dhe mund të ndikojë jo vetëm te Santos, por edhe në përgatitjet e Brazilit për garat ndërkombëtare.
Tifozët tani presin me ankth rezultatet e ekzaminimeve mjekësore, me shpresën se nuk bëhet fjalë për një tjetër mungesë afatgjatë për yllin e tyre./04 Online