Kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, ka theksuar se skuadra zikaltër është e përqendruar maksimalisht te përballja me Real Madridin në Ligën e Kampionëve, pavarësisht ribashkimit me Jose Mourinhon.
Argjentinasi e vlerësoi lart trajnerin portugez, i cili udhëhoqi Interin drejt tripletës historike, por nënvizoi se e kaluara nuk duhet të shpërqendrojë skuadrën.
“Mourinho është një trajner që ka fituar trofe shumë të rëndësishëm me Interin”, deklaroi Lautaro.
“Me gjithë respektin për të, sot ne jemi të fokusuar te përgatitja e ndeshjes së nesërme dhe te dhënia e maksimumit tonë.”
Lautaro foli edhe për rrezikun që paraqet Real Madridi, duke veçuar Kylian Mbappen.
“Po përballemi me një skuadër të madhe, me shumë lojtarë të nivelit të lartë. Por edhe ne kemi pikat tona të forta”, tha ai.
“Jemi gjithashtu të gatshëm të përballemi me Mbappen, një prej lojtarëve më të mirë në botë.”
Kapiteni i Interit pranoi se skuadra duhet të mësojë nga eliminimi i sezonit të kaluar dhe të synojë një paraqitje sa më të mirë në Champions.
“Vitin e kaluar u eliminuam herët, por është e rëndësishme të mësojmë nga gabimet tona”, tha kampioni i botës me Argjentinën në vitin 2022.
“Shpresoj të jap gjithçka nga vetja dhe ta çoj Interin sa më larg që të jetë e mundur.”
Pavarësisht ambicies për të fituar trofeun, Lautaro theksoi se Liga e Kampionëve nuk duhet të shndërrohet në presion.
“Liga e Kampionëve është një objektiv. Siç them gjithmonë, të gjithë ëndërrojmë, por nuk është një obsesion”, deklaroi ai.
Përballja me Real Madridin pritet të jetë një nga testet më të mëdha për Interin, ndërsa Lautaro ka bërë të qartë se fokusi i skuadrës është vetëm te ndeshja./04 Online/















































