Sylejman Baxhaku ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, pas rreth gjashtë muajsh në këtë detyrë.
Në njoftimin e tij, Baxhaku tha se gjatë kësaj periudhe është përpjekur të ndërtojë një sistem shëndetësor funksional, por theksoi se menaxhimi efektiv kërkon autonomi dhe bashkëpunim institucional.
Njoftimi i plotë
Të dashur qytetarë të Prizrenit,
Përmes këtij njoftimi, dëshiroj t’ju bëj me dije se kam paraqitur dorëheqjen time nga detyra e Drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit.
Gjatë kësaj periudhe 6-mujore, jam përpjekur me përkushtim të ndërtoj një sistem shëndetësor funksional dhe në shërbim të secilit prej jush.
Megjithatë, menaxhimi efektiv kërkon autonomi zyrtare dhe bashkëpunim institucional.
Kur vendimmarrja dëmtohet nga ndërhyrjet e jashtme politike,si nga niveli komunal, ashtu edhe nga udhëheqja e partisë,përgjegjësia profesionale e drejtorit zbehet.
Në kushte të tilla, ku struktura drejtuese anashkalohet në mënyrë të përsëritur, vazhdimi i detyrës është i pamundur.
Falënderoj stafin shëndetësor për punën e palodhshme dhe ju qytetarë për mirëkuptimin e mbështetjen.
Shëndetësia e Prizrenit meriton punë e integritet, jo lojëra politike.
Me respekt.















































