Është mbajtur mbledhja e 6-të e rregullt e Partisë së Gjelbër për Kosovën (PGjK), ku janë zgjedhur strukturat e reja drejtuese. Blerim Saramati nga Prizreni është zgjedhur kryetar i ri i partisë për mandatin katërvjeçar.
Pas zgjedhjes, Saramati tha se partia vazhdon mbi një themel të ndërtuar me punë dhe angazhim të vazhdueshëm.
Ai deklaroi se prioritetet e mandatit të ri do të jenë zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, mbrojtja e mjedisit dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje.
Saramati theksoi rëndësinë e modernizimit të sistemit energjetik, diversifikimit të burimeve të energjisë dhe tranzicionit drejt energjisë së pastër, ndërsa si prioritet tjetër përmendi sigurinë ujore dhe menaxhimin afatgjatë të resurseve ujore.
Në fund, Saramati deklaroi se politikat publike duhet të ndërtohen afër qytetarëve dhe në bazë të nevojave të tyre.
“Përgjegjësia jonë është të kalojmë nga një parti e ideve në një parti të rezultateve”, tha Saramati, duke theksuar synimin për ta shndërruar PGjK-në në një forcë politike serioze dhe të besueshme.















































