“Asnjëherë autonomi”, deklarata e Qeverisë për artikullin e publikuar në “Fox News”

0
122

Mediumi amerikan “Fox News” në një artikull të publikuar ditë më parë ka shkruar për vizitën e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Prishtinë e Beograd, derisa thekson se “BE paralajmëron Serbinë dhe Kosovën të bëjnë paqet ose do të vuajnë pasojat”, shkruan Reporteri.net.

Në artikull thuhet se Presidentja Von der Leyen ka kërkuar nga Serbia njohjen “de-facto” ndaj Kosovës, ndërsa nga kjo e fundit ka kërkuar autonomi për serbët etnikë në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën.

“Von der Leyen tha se Serbia duhet ta njohë de fakto Kosovën si një komb të pavarur dhe Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët etnikë në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën. Kjo do të përmbushte në mënyrë efektive angazhimet e mëparshme të Serbisë dhe Kosovës të negociuara në fillim të këtij viti, por ka pak shenja që secila palë është në të vërtetë synuar të vazhdojë”, thuhet në artikullin e publikuar nga mediumi amerikan.

Pas publikimit të këtij artikulli nuk ka pasur një reagim qoftë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, apo kryeministri Albin Kurti.

Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar me Qeverinë e Kosovës për të marrë një qëndrim të tyre rreth këtij artikulli, por nga ekzekutivi thonë se Kosova nuk ka pranuar e as nuk do të pajtohet kurrë për autonomi për serbët në veri.

Përparim Kryeziu zëdhënës i Qeverisë së Kosovës ka thënë për Reporteri.net ka thënë se Kosova nuk ka pranuar kurrfarë autonomie, defunksionalizim, fragmentim, apo çkado tjetër që nuk e lejon Kushtetuta e Republikës.

“Për ne për momentin është e paqartë nëse lajmi në mediumin amerikan i referohet një citati të drejtpërdrejt të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen apo është interpretim i vet mediumit mbi deklarata të presidentes Leyen. Ajo çka duam ne të theksojmë është se Kosova nuk ka pranuar e as nuk është pajtuar për kurrfarë autonomie. Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për respektim maksimal të të drejtave të çdo anëtari të komuniteteve, sipas standardeve të Këshillit të Evropës, aty ku do të anëtarësohet Republika jonë; por asnjëherë autonomi, defunksionalizim, fragmentim, apo çkado tjetër që nuk e lejon Kushtetuta e Republikës”, ka thënë Kryeziu për Reporteri.net.

Kujtojmë se rreth këtij artikulli ka reaguar sot ish-kryeministri i Kosovës, njëherit deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili përmes një postimi të bërë në Facebook ka thënë se nëse nuk është e vërtete ajo që ka thënë presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, Kryeministri dhe Presidentja duhet ta demantojnë menjëherë.

Tutje, ai ka thënë se është obligim i Kurtit dhe Osmanit që t’i sqarojnë qytetarët.

“Nëse nuk është e vërtetë kjo që ka thënë znj. Ursula von der Leyen, Kryeministri dhe Presidentja duhet ta demantojnë menjëherë. Është obligim i juaj, dilni dhe sqaroni qytetarët”, ka shkruar Hoti. /Reporteri

Leave a Reply