Ambasadori Hasani: Jemi duke pritur listën e mjekëve nga MSH-ja për t’i vaksinuar në Kukës

0
353

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, tha se janë në pritje të përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës për listën e mjekëve që kanë qenë në vijën e parë të frontit me pandeminë COVID-19, e që janë ftuar të vaksinohen në Kukës.

Hasani ka thënë se vaksinimi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar, për çka u shpreh se duhet të ketë një listë të punonjësve shëndetësorë, por që nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka premtuar dhe ka kërkuar që të vijnë ta marrin vaksinën në Kukës. Përgjegjësia është e Ministrisë së Shëndetësisë të vijë në mënyrë të organizuar të marrë vaksinën në Kukës. Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk ka dhënë një përgjigje dhe jemi në pritje të një përgjigjeje të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës për të shkuar në mënyrë të organizuar”, u shpreh Hasani për Telegrafin.

Hasani u shpreh se në formën vullnetare ashtu siç po shkojnë mjekët nga Kosova për ta marrë vaksinën është problem pasi ka pasur një listë të mjekëve që kanë qenë në vijën e forntit, dikush mund të mbetet pa vaksinuar.

“Në formën vullnetare është një problem tjetër, pasi forma vullnetare mund t’i lërë disa me vaksina e disa pa to. Kërkesa ka qenë nga kryeministri Rama që personeli që është në vijën e frontit, në vijën e zjarrit të vijnë e ta marrin vaksinën”, tha Hasani.

Gjatë ditës sot, kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla deklaroi se dy mjekë nga Kosova të cilën shkuan sot për t’u vaksinuar në Kukës, nuk u është mundësuar të vaksinoheshin.

Ata janë kthyer mbrapsht, pasi nga atje u kanë thënë se po presin listën e mjekëve që janë në vijën e parë të frontit në luftën me koronvirusin, e cila do të duhej t’u dërgohej nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme, mjeku kosovar Blerim Feka e kaloi kufirin për t’u imunizuar kundër coronavirusit.

Pasi regjistrohet, gjinekologu ka për t’u vaksinuar me kurën antiCovid të “AstraZenecas” për çka thotë se nuk hezitoi aspak.

“Shumë lehtë dhe afër. Më pritën përzemërsisht dhe ma bën vaksinën kundër Covidit-19. Jam i lumtur. I ftoj të gjithë kolegët që të shfrytëzojnë mundësinë për t’u vaksinuar kundër Covidit-19”, tha ai.

Me këtë vaksinë këto ditë në Shqipëri ka filluar imunizimi i mësimdhënësve ndërsa vetëm në Kukës janë vaksinuar mbi 40 të tillë.

Leave a Reply