Alarmon Balkan Green Foundation: Kosova do ta ketë krizën më të madhe energjetike sivjet

0
247

Mbetet shqetësuese situata me furnizim me energji elektrike në Kosovë për shkak të largimit nga funksioni të një pjese të kapaciteteve tona gjeneruese, çmimet e shtrenjta të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe reduktimet vijuese të cilat kanë vështirësuar jetën e qytetarëve dhe bizneseve.

Hulumtuesi në Balkan Green Foundation, Besfort Kosova alarmon se situata nuk ka qenë asnjëherë më e vështirë për furnizim me energji elektrike se në këtë verë, dhe se kjo krizë pritet të thellohet edhe në dimër.

Hulumtuesi Kosova thekson se pritet që një megavat orë energji elektrike të tejkalojë edhe vlerën prej 1000-1300 euro, që nuk është parë ndonjë herë gjatë sezonit të dimrit.

“Situata është alarmante sa i përket furnizimit me energji elektrike, por edhe me lëndë të tjera të energjisë. Situata nuk ka qenë asnjëherë më e vështirë se në këtë dimër që po vjen. Pritet që një megavat orë energji elektrike të tejkalojë edhe vlerën prej 1000-1300 euro që nuk është parë ndonjëherë gjatë sezonit të dimrit. Gjithashtu gjatë sezonit të verës nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Ballkanit që të kemi çmime kaq të larta të energjisë elektrike që madje në këto ditë kanë arritur deri 800 euro për një megavat orë, që është një shifër alarmante dhe që tregon për krizën që po na pret”, thekson Kosova.

Hulumtuesinë Balkan Green Foundation, kërkon nga Qeveria që të ndërmerr masa të reja për kursimin e energjisë elektrike.

“Çka mundet qeveria me ndërmarrë në këso situata shumë të vështira? Masa më e lehtë dhe më e shpejta kishte me qenë një kampanjë (fushatë) mediatike për kursimin e energjisë elektrike si një ndër format më shpejta dhe më të lehta për ta tejkaluar situatën, për shkak se kriza energjetike është evidente gjatë kohës së dimrit, kur ne kemi një kërkesë shumë të lartë për energji për shkak të ngrohjes që përdoret me energji elektrike”, thekson ai.

Kosova ka folur edhe për burokracitë e qeverisë, të cilat sipas tij, duhet të eliminohen sa i përket zhvillimit të projekteve të burimeve të ripërtritshme të energjisë dhe për qasje në rrjet për operatorët të cilët dëshirojnë të prodhojnë energji elektrike.

“Vazhdimi i burokracisë është një pengesë shumë e madhe e cila nuk e lejon zhvillimin e projekteve, qofshin edhe ato të burimeve të ripërtritshme të energjisë, si dhe duhet të gjenden forma që të tejkalohet kjo burokraci, për ndryshe mbetet potenciali i pashfrytëzuar për shkak të kësaj burokracie. Qeveria duhet të gjejë forma që të tejkalohet kjo në mënyrën më të shpejt për lëshimin e lejeve të ndërtimit dhe për qasje në rrjet për operatorët të cilët dëshirojnë të prodhojnë energji elektrike”, thotë ai.

Ai ka kërkuar nga qeveria edhe miratimin e strategjisë për energjinë që do të lehtësonte prodhimin e energjisë së ripërtritshme, si dhe të gjenden forma alternative të furnizimit me ngrohje gjatë stinës së dimrit.

Balkan Green Foundation është një iniciativë rajonale e krijuar për të mbrojtur dhe promovuar zhvillimin e qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, duke u përqendruar veçanërisht në një sërë temash kyçe si zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i energjisë dhe ndryshimet klimatike.

Leave a Reply