Pas konfirmimit të largimit të Dani Carvajalit javën e kaluar, Real Madridi ka njoftuar se edhe mbrojtësi veteran David Alaba do të largohet nga klubi pas ndeshjes së nesërme kundër Athletic Clubit.
“Real Madrid CF dhe David Alaba kanë rënë dakord të përfundojnë kohën e tij si lojtar i klubit tonë në fund të sezonit aktual,” thuhej në deklaratën e klubit.
“Real Madrid CF dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe gjithë dashurinë e saj për një lojtar që ka qenë pjesë e një skuadre që ka luajtur në një nga periudhat më të suksesshme në historinë tonë, thuhej tutje.
Alaba u transferua te Real Madridi si lojtar i lirë në vitin 2021 pasi përfundoi periudhën e tij me Bayern Munichun.
Reprezentuesi austriak shpejt u bë lider në klub dhe luajti një rol kyç në sezonin e suksesshëm 2021/22 kur skuadra fitoi La Ligan, Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Spanjës.
Megjithatë, dëmtimet ndikuan ndjeshëm në periudhën e Alabës te Real Madrid nga sezoni pasues e tutje, duke kufizuar kryesisht rolin e tij në fushë.
Pavarësisht kësaj, ai mbeti një anëtar i rëndësishëm i dhomës së zhveshjes, duke kontribuar mirë sa herë që ishte i gatshëm dhe në formë.
Alaba tani i jep lamtumirën “Los Blancos” pasi ka bërë 131 paraqitje për Real Madridin gjatë pesë sezoneve, ku ka fituar 11 trofe, përfshirë dy Championsave dhe dy tituj të La Ligës.
Si pjesë e komunikatës zyrtare, presidenti i Real Madridit Florentino Pérez gjithashtu i bëri homazh Alabës, duke thënë:
“David Alaba ka fituar dashurinë e të gjithë tifozëve të Madridit për përkushtimin e tij, punën e palodhur dhe për një imazh ikonik në rrugën tonë drejt Kupës së 14-të Evropiane, i cili simbolizoi festimin e një fitoreje dhe tani është pjesë e historisë së klubit tonë.
“Real Madrid CF do të jetë gjithmonë shtëpia e tij.”
Alaba do të përshëndetet me “Bernabéun” nesër kur Real Madridi të përballet me Athletic Club në ndeshjen e fundit të sezonit./Express














































