Edon Zhegrova nuk mundi ta ndihmonte mbrëmë Lillen në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.
Ylli kosovar është duke u rikthyer nga lëndimi dhe i përkrahu shokët e skuadrës prej jashtë fushës së blertë në ndeshje me Borussia Dortmundin, ku skuadra franceze u mposht në shtëpi dhe u eliminua nga gara më prestigjioze e futbollit evropian, shkruan “Gazeta Express”.
Por, përkundër eliminimit, sulmuesi anësor ndihet i kënaqur me rrugëtimin e Lillet në Champions në këtë sezon.
Ai e bëri një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit i përgëzoi lojtarët dhe i falënderoi tifozët për mbështetjen e dhënë në çdo ndeshje të këtij sezoni.
“Gjithmonë krenar me këtë ekip. I falënderoj krejt bashkëlojtarët e mi dhe tifozët tanë për këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm në Ligën e Kampionëve”, shkroi 25 vjeçari në Instastory.

Kjo mund të ketë qenë eksperienca e fundit e Zhegrovës në garat evropiane me Lillen pasi gjatë verës që po vjen ai pritet të largohet nga Franca për ta nisur një përvojë të re në një klub madh dhe në një ligë më të fortë evropiane.