Xheneta rrëfen ndarjen dhe zhgënjimet në dashuri

0
109

Xheneta Fetahu ka folur hapur për jetën private dhe marrëdhënien e saj të kaluar, gjatë një interviste në emisionin “She’s On Air” në Top Albania Radio. Ajo ka rrëfyer detaje nga lidhja 5-vjeçare me ish-të fejuarin, si dhe për vështirësinë që ndien sot për të nisur një raport të ri sentimental.

E pyetur për marrëdhënien e gjatë që ka pasur, Xheneta konfirmoi se ajo dhe ish-partneri kanë qenë të fejuar dhe se lidhja e tyre kishte qenë “pothuajse si martesë”. Megjithatë, ajo theksoi se tashmë nuk kanë më kontakte.

“Ai ka vazhduar jetën e vet, unë timen”, u shpreh ajo, duke shmangur detajet e tepërta për jetën aktuale të ish-partnerit.

Xheneta pranoi se në fillim e kishte parë atë si personin e duhur, por fundi i marrëdhënies kishte qenë i vështirë. Ajo nuk deshi të hynte në detaje, por la të kuptohej se ndarja ishte pasojë e situatave të rënda dhe sjelljeve që e kishin lënduar.

“Nuk kisha pas qejf me u fut në detaje. Kanë qenë shumë gjëra jo të bukura nga ana e tij. Ka qenë person i duhur në fillim, pastaj mbarimi…”, tha ajo.

Gjatë intervistës, Xheneta foli edhe për një njohje të re, e cila e kishte mërzitur për shkak të mënyrës se si djali ishte shprehur ndaj saj. Ajo tregoi se rastin ia kishte rrëfyer motrës, shoqes së ngushtë dhe nënës, me të cilat ndan çdo gjë.

Reagimi i nënës së saj, sipas Xhenetës, e kishte prekur thellë.

“Nuk të kam rritur për të të futur në dhe. Kjo gjë nuk tolerohet. Mos të dëgjoj të flasësh me të”, i kishte thënë e ëma.

Xheneta tregoi se këto fjalë e kishin bërë të përlotej, sepse i kujtuan sa e rëndësishme është të mos pranosh çdo lloj sjelljeje vetëm për të qenë në një lidhje.

Ajo sqaroi se djali nuk e kishte prekur fizikisht, por kishte bërë një gjest dhe ishte shprehur në mënyrë të papranueshme. Për këtë arsye, Xheneta vendosi të mos vazhdonte komunikimin me të.

“Më mirë të rri vetëm sesa të lidhem me gjithkënd, vetëm për të thënë se po martohem dhe po bëj fëmijë”, u shpreh ajo.

Në intervistë, Xheneta foli edhe për besimin e saj te karma. Ajo tha se beson fort se dhimbja që dikush u shkakton të tjerëve, në një moment kthehet.

“Shumë persona që më kanë lënduar, karma u është kthyer. Ndoshta pas katër vitesh apo pas katër muajsh, por u është kthyer”, tha ajo.

E pyetur nëse karma e kishte goditur edhe ish-të fejuarin, Xheneta u përgjigj shkurt: “Po”.

Ajo shtoi se beson se çdo lot i derdhur për dikë nuk humbet, por në një formë apo tjetër kthehet te personi që e ka shkaktuar atë dhimbje.

Deklaratat e Xhenetës kanë nxitur komente, sidomos për mënyrën e drejtpërdrejtë me të cilën foli për zhgënjimin, kujdesin e nënës dhe frikën për të mos përsëritur gabime në dashuri. Pa përmendur emra apo detaje konkrete, ajo la të kuptohej se eksperiencat e së kaluarës e kanë bërë më të kujdesshme dhe më selektive në raportet e reja. /GazetaExpress/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here