Vuçiqi vazhdon me sukses ta sfidojë BE-në

0
465

Një situatë në të cilën çfarëdo që kërkon Kosova është “joreale” dhe çfarëdo që refuzon Serbia është “e logjikshme” e kanë krijuar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak. Dhe në këtë mënyrë ata e kanë shkelur vetë punën e tyre, sepse dëshmojnë se as dokumentin që vetë e kanë shkruar, as atë për të cilin janë lavdëruar se ka qenë marrëveshje, nuk e respektojnë. Dhe nëse Lajçak dhe Borrell vetë nuk i marrin seriozisht Marrëveshjen e shkurtit që thanë se u arrit në Bruksel dhe Aneksin e Ohrit, atëherë pse t’i marrë Vuçiqi

Java e cila pritej të ishte kyç për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, megjithatë përfundoi me një porosi të qartë, vetëm disa orë pasi u duk se gjithçka dështoi në përpjekjet e nivelit më të lartë evropian për të arritur pajtim mes palëve për të zhbllokuar ngërçin në të cilin është dialogu.

Pas më shumë se gjashtë orë diskutimesh, ku rolin kryesor kësaj radhe nuk e kishin burokratët e Brukselit, por liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, u duk se asgjë nuk eci përpara. Kryeministri i Kosovës, i cili kësaj radhe injoroi gazetarët dhe opinionit ia shpërndau vetëm një komunikatë me shkrim, porositi se ka pranuar gjithçka, të gjitha ofertat, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që kjo qeveri e përmend si “neni 7 në ndërlidhje me nenin 10”. Por ai tha se ka ofruar që këtë propozim ta nënshkruajnë, së bashku me nënshkrimin e marrëveshjeve të tjera. Me të drejtë në deklaratën e Qeverisë së Kosovës thuhej se “pranimi nënkupton nënshkrimin dhe vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”. Sado që e qartë duket kjo pjesë e deklaratës, ajo po ashtu lë hapësirë për të menduar se, pasi nuk është nënshkruar, mund të thotë se Kosova më nuk e pranon.

Shumë më i qartë në deklarimin e tij ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai tha se nuk ka dashur të nënshkruante asgjë dhe se oferta për nënshkrim ka qenë një truk. Port aty ku Vuçiq ishte i qartë, dhe ishte një sfidë e qartë ndaj BE-së, ishte rikonfirmimi se ai nuk e ka ndërmend të zbatojë pikat që për Kosovën janë kryesore nga marrëveshja. Ai tha, dhe vazhdon ta përsërisë se nuk do të zbatojë asgjë që ka të bëjë me pavarësinë e Kosovës, me integritetin territorial dhe me anëtarësimin në OKB, përfshirë edhe agjencitë e saja siç janë UNESCO dhe të tjerat.

Nëse BE-ja ka kërkuar që të gjitha marrëveshjet të zbatohen pa vonesa dhe pa kushte, atëherë Vuçiq këtë e ka refuzuar. Prandaj BE-ja është dashur të dilte dhe të thoshte se Serbia refuzoi kërkesat tona. BE-ja nuk e tha këtë. Dhe në këtë mënyrë dëshmoi se vazhdon të ketë qëndrim të pabalancuar. Sepse akoma ka mirëkuptim për qëndrimet e Serbisë. “A mos keni menduar se Vuçiq do të nënshkruajë dokumentin ku ndodhet flamuri i Kosovës?”, pyeste me cinizëm një diplomat i BE-së. “Pse jo. Pikërisht kjo është pjesë e marrëveshjes e cila, mes të tjerash, thotë se palët do të respektojnë edhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës”. “E po kjo nuk është reale në këtë moment”, ishte përgjigjja e tij. Një situatë në të cilën çfarëdo që kërkon Kosova është “joreale” dhe çfarëdo që refuzon Serbia është “e logjikshme” e kanë krijuar përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak. Dhe në këtë mënyrë ata e kanë shkelur vetë punën e tyre, sepse dëshmojnë se as dokumentin që vetë e kanë shkruar, as atë për të cilin janë lavdëruar se ka qenë marrëveshje, nuk e respektojnë. Dhe nëse Lajçak dhe Borrell vetë nuk i marrin seriozisht Marrëveshjen e shkurtit që thanë se u arrit në Bruksel dhe Aneksin e Ohrit, atëherë pse t’i marrë Vuçiqi.

Kjo është një situatë ku, për momentin, duhet besuar më shumë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sesa Bashkimit Evropian. Sepse Vuçiqi jo vetëm se e kundërshton me deklarata, por e ka dëshmuar edhe me vepra se nuk e ka ndërmend të zbatojë të gjitha obligimet nga Marrëveshja. Serbia ka votuar kundër nisjes së procedurës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka dërguar letër ku kërkon që të mos shqyrtohet kandidatura e Kosovës për anëtarësim në BE dhe vazhdon të bëjë lobim kundër Kosovës nëpër botë, nga Moska e Pekini deri te Teherani e Madridi. Asnjë qortim i vetëm ndaj Serbisë për këtë nga BE-ja.

Konstatim i duhur ishte ai i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, që në takime nuk pati progres të duhur. Ai fajësoi “kushtëzimet e palëve që ishin të papranueshme për palën tjetër” si pengesë, por me të drejtë konstatoi se për keqardhje është se procesi mbetet në një ngërç.

Por një lexim krejt të ndryshëm, më pozitiv të takimeve që liderët e Kosovës dhe Serbisë patën në Bruksel me liderët evropianë, pati presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Aq qëndrim të çuditshëm saqë pyesnim se mos ai ka qenë në ndonjë takim tjetër e jo me Kurtin dhe Vuçiqin.

Ndryshe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, që një ditë më herët shprehi shqetësim për ngërçin në procesin e normalizimit të raporteve, pas debatit në Këshillin Evropian, presidenti i këtij institucioni të BE-së, Charles Michel, por edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Sholz, e kanë parë pozitivisht situatën. Të dy kanë folur për “pranimin e obligimeve për zbatim të marrëveshjeve nga të dy liderët”, ndërsa Scholz ka thënë se “në takime është arritur përparim”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se me rëndësi është që liderët e Kosovës dhe Serbisë “kanë pranuar të zbatojnë obligimet nga marrëveshja” dhe se BE-ja do të vëzhgojë se si ato zbatohen. Sipas shefit të Këshillit Evropian, do të ketë pasoja në rast se ato obligime nuk zbatohen.

Nuk e dimë se ku e ka parë Michel se Vuçiqi ka pranuar që të zbatojë Marrëveshjen. Sepse presidenti i Serbisë e tha në Bruksel, të enjten, e përsëriti në Beograd, të premten dhe të dielën, se nuk do të zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjeve, por vetëm disa, ato që nuk nënkuptojnë njohjen e Kosovës, anëtarësimin në OKB-së dhe integritetin territorial.

Ajo që të premten mbrëma doli si porosi që mund të shënojë një kthesë ishte deklarata e përbashkët e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministres së Italisë, Georgia Meloni. Aty përsëritej thirrja për Kurtin që të zbatojë obligimin për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk u lodhën fare të hyjnë në lojën e fjalëve për “artikullin 7, ndërlidhur me artikullin 10” apo “vetëmenaxhim”, por qartë përmenden Asociacionin. Për dallim nga BE-ja, Serbisë i thanë se duhet të bëjë njohjen de facto. Asnjëherë një gjë e tillë nuk i është thënë Serbisë, prandaj kjo shënon një kthesë. Dhe insistimi në këtë do të ndihmojë që Kosova ta themelojë Asociacionin sipas propozimit “modern evropian”, pa marrë parasysh se çfarë kanë thënë në të kaluarën ata që sot janë në pushtet apo çfarë thonë sot ata që janë në opozitë, por në emër të Kosovës vetë e kanë marrë këtë obligim, duke e pranuar, nënshkruar dhe aprovuar në Kuvend.

Por fuqia e kësaj deklarate do të varet nga gatishmëria e tyre që të ndërmarrin masa ndaj Serbisë nëse ajo nuk e respekton këtë porosi dhe nëse vazhdon ta sfidojë BE-në siç e ka bërë me shumë sukses deri më tash Aleksandar Vuçiq. Ai për një muaj ka arritur të evitojë sanksionet ndaj Serbisë për shkak të rolit në sulmet në Banjskë, dhe vështirë të gjesh dikë racional i cili beson se Beogradi nuk ka pasur lidhje me këto sulme. Tash nëse arrin të shmangë edhe obligimet nga marrëveshja, procesi i normalizimit do të pësojë edhe një goditje, kësaj radhe fatale, sepse pas humbjes së plotë të autoritetit dhe kredibilitetit të Borrellit, Lajçakut dhe Komisionit Evropian, që dënuan Kosovën e jo Serbinë, do të humbet edhe kredibiliteti i tre liderëve të tri shteteve më të mëdha të BE-së. Dhe pastaj më nuk do të ketë hapësirë për të kërkuar ndonjë autoritet më të fuqishëm që do të mund t’i lëvizë gjërat.

Shkruan: Augustin PALOKAJ

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply