jykata Supreme ka shfuqizuar disa paragrafe të nenit 7 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Regjistrimin e Mjeteve.
Ky nen ndalonte vendosjen e materialeve errësuese në xhamat e automjeteve, përveç automjeteve që i kanë këto materiale të vendosura nga prodhuesi.
Megjithatë, këtë ndalim të vendosur me Udhëzim Administrativ e ka hequr sot Gjykata Supreme.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Supreme:
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së Organizatës Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Institutit “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, me objekt shqyrtimi të ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve, pas shqyrtimit gjyqësor publik të mbajtur më 4 qershor 2026, ka aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë e paditësve.
Me aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 1, paragrafin 3 dhe paragrafin 4 të nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, ndërsa ka refuzuar kërkesëpadinë lidhur me paragrafin 2 të të njëjtit nen.
Gjykata ka konstatuar se Ligji Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Ligji Nr. 05/L-132 për Automjete nuk përmbajnë ndalim të përgjithshëm për vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar. Përkundrazi, legjislacioni në fuqi parashikon mundësinë e modifikimeve në automjete, me kusht që ato t’i nënshtrohen procedurave të verifikimit teknik dhe atestimit sipas standardeve të përcaktuara me ligj.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, paragrafi 1 i nenit 7 vendoste një kufizim që nuk gjendet në ligj, duke lejuar xhamat e errët vetëm për automjetet që i kanë të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve. Gjykata vlerësoi se këto dispozita nuk përbënin thjesht zbatim apo konkretizim të ligjit, por krijonin kufizime të reja materiale që ligjvënësi nuk i kishte paraparë.
Po ashtu, Gjykata konstatoi se paragrafi 4, i cili parashihte lejimin e përjashtimeve me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, ishte i lidhur ngushtë me ndalimin e parashikuar në paragrafin 3 dhe, për rrjedhojë, nuk mund të qëndronte në fuqi pasi vetë ndalimi bazë rezultoi i paligjshëm.
Në vendimin e saj, Gjykata ka theksuar se organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar ndalime apo kufizime të reja që nuk burojnë nga dispozitat ligjore. Çdo kufizim i të drejtave ose i mundësive të përdorimit të automjeteve duhet të mbështetet në autorizim të qartë ligjor dhe të respektojë parimet e ligjshmërisë, sigurisë juridike dhe proporcionalitetit.
Gjykata ka vlerësuar se dispozitat e shfuqizuara krijonin trajtim të ndryshëm për automjete që ndodhen në situata të krahasueshme, pa një bazë të qartë ligjore dhe pa u dëshmuar nevoja për një dallim të tillë në funksion të mbrojtjes së interesit publik.
Ndërkaq, sa i përket paragrafit 2 të nenit 7, Gjykata ka gjetur se ai përbën një dispozitë administrative dhe teknike që rregullon evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit dhe nuk vendos kufizime apo ndalime që bien ndesh me ligjin. Për këtë arsye, kjo dispozitë ka mbetur në fuqi.















































