Më shumë se gjysma e personave që kanë tension të lartë të gjakut nuk janë në dijeni për gjendjen e tyre, duke rritur rrezikun për infarkt, goditje në tru dhe vdekje të parakohshme, tregon një studim i ri i Universitetit të Oksfordit.
Studiuesit analizuan të dhënat e rreth 1.4 milionë personave të regjistruar në programin “Our Future Health” dhe vlerësuan se më shumë se një e treta e të rriturve në Angli kanë hipertension. Rreth 59 për qind e tyre nuk e dinin se kishin tension të lartë.
Studimi tregoi gjithashtu se vetëm rreth gjysma e personave që trajtohen për hipertension arrijnë ta mbajnë tensionin nën kontroll.
Hipertensioni rezultoi më i zakonshëm te burrat: rreth 42 për qind e tyre kishin tension të lartë, krahasuar me 29 për qind të grave. Shqetësim paraqet edhe fakti se rreth 15.3 për qind e personave nën moshën 40 vjeç kishin hipertension.
Ekspertët e përshkruajnë tensionin e lartë si një “vrasës të heshtur”, pasi shpesh nuk shkakton simptoma të dukshme.
Sipas British Heart Foundation, hipertensioni është një nga faktorët kryesorë të modifikueshëm të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare dhe lidhet me një pjesë të konsiderueshme të infarkteve dhe goditjeve në tru.
Ekspertët rekomandojnë kontrollin e rregullt të tensionit, ndërsa ndryshimet në stilin e jetesës dhe trajtimi me barna, kur është i nevojshëm, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për komplikime serioze./04 Online/















































