“Tik-tak, ora po mbaron”: Lajçak me 16 modelet e tij ndërsqetull ia mësyu Kosovës dhe Serbisë para 18 marsit

0
135

Një takimi të rëndësishëm që i kanë mbetur vetëm 7 ditë për tu zhvilluar po i paraprijnë vizita po të asaj rëndësie. Bëhet fjalë për takimin e Ohrit që do t’i bashkojë edhe një herë në tavolinë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shkruan Gazeta Sinjali.

Marrëveshjen që synon të arrihet e ka sjellur Lajçakun tash e dy ditë në Prishtinë e do ta mbajë edhe për dy ditë të tjera në Beograd.

Diplomati sllovak për herë të parë ka bërë të ditur se janë duke u shikuar 16 modele për zbatimin e marrëveshjes, për të cilën tha se është obligim ndërkombëtar.

“Kemi shikuar modele ekzistuese dhe mund t’iu them që këtu në tavolinën time kam 16 modele evropiane, por nuk mund t’i listoj ato. Nuk dua të tregohem se po bëj favor për një palë apo tjetrën.” – tha ai.

Lajçak bëri të ditur se të njëjtat do të diskutohen, dhe se më pas, do të vendoset se cili mund të përdoret në rastin e Kosovës.

Veç kësaj, ai bëri të ditur se “nuk do të krijohet diçka që e bën shtetin e Kosovës më pak funksional”.

“Po i ndajmë këto diskutime me partnerët tanë, dhe ata, do të vendosin se cilin model do ta marrin. Nuk duam të krijojmë diçka që do ta bënte sistemin e Kosovës më pak funksional. Nuk do të krijojmë diçka që nuk ka qenë e krijuar apo e testuar në hstetet evropiane. Roli ynë është që dy shtetet t’i afrojmë pranë Bashkimit Evropian.” – ka bërë të ditur emisari evropian.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Lajçak ka ndarë me qeverinë 15 modele evropiane mbi rregullimin e të drejtave të minoriteteve, por jo të asociacioneve.

Kryeziu theksoi se Qeveria do ti analizojë veçoritë dhe karakteristikat, si dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve.

Ai ka shtuar se nuk është kërkuar të zgjedhin një nga ato 15 modele, por disa nga ato, të cilat reflektojnë standardet e Këshillit të Evropës dhe që do të mund të shërbejnë si referencë apo orientim për një propozim për të drejtat e minoriteteve, i cili mund të jetë i aplikueshëm, i pranueshëm për Kosovën, si dhe në përputhje me parimin e vënies në fokus të të drejtave të anëtarëve të një komuniteti.

“Gjithmonë duke qenë në respektimin të kushtetutshmërisë se vendit, pa kompetenca ekzekutive dhe një që nuk përbën nivel të tretë të qeverisjes”, ka thënë Kryeziu për RTK.

Propozimi evropian nuk është përkrahur nga partitë opozitare në Serbi, ndërsa situata është e ngjashme edhe në Kosovë, ku partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë shprehur po ashtu rezerva.

Për Serbinë mbetet e kontestueshme pika e katërt e propozimit, e cila thotë se ajo nuk mund ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Vuçiq ka përsëritur vazhdimisht se nuk do ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, apo anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Në Serbi nuk është pranuar mirë as pika e dytë e propozimit, e cila thotë se “të dyja palët do t’i respektojnë parimet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për barazinë sovrane të të gjitha shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre”.

Për Qeverinë e Kurtit, në anën tjetër, problematike është pjesa në pikën e shtatë, që i referohet “aranzhimit të veçantë për komunitetin serb” dhe zyrtarizimit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Ngjashëm ka hezitime edhe për pikën dhjetë, e cila i detyron palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të arritura në kuadër të dialogut. Kjo nënkupton se Kosova do të duhej ta formonte edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Leave a Reply