Sveçla: Pa hezitim, vendimet fillojnë të zbatohen nga 1 shtatori

0
290

Nga 1 shtatori, Kosova pritet të fillojë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës është e gatshme ta zbatojë vendimin.

Zbatimi i vendimit më herët, tha ai, është penguar nga strukturat kriminale që janë pasuruar dhe fuqizuar me ndihmën e Beogradit për të luftuar shtrirjen dhe sundimin e ligjit në veri të vendit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Po, ka pasur tendenca destabiliteti nga struktura kriminale në veri të mbështetura dhe të drejtuara nga Beogradi e të shtyra nga Moska. Por unë jam i bindur se institucionet e sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi, janë plotësisht të pjekura, të gatshme dhe mjaftueshëm të forta që të zbatojnë këto dy vendime”, tha ai.

Sipas tij, zbatimi i dy vendimeve u shty për një muaj me qëllim që qytetarët serbë në Kosovë të informohen sa më shumë, sa më drejt për këto dy vendime.

“Unë jam i bindur se ata edhe e kanë kuptuar se nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç që t’i nënshtrohen ligjit si çdo qytetar tjetër i Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ai në një intervistë për Alsat M, është pyetur edhe për deklaratat e zyrtarëve të Serbisë, të cilët thonë se serbët në veri po diskriminohen.

“T’iu them të drejtën, jo vetëm që janë të njëjtit persona por është edhe e njëjta gjuhë e fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90. Të njëjtit njerëz të cilët shkaktuan katër luftëra në rajon, vazhduan të qeverisin me Serbinë, tashmë i janë kthyer retorikës së vjetër shoviniste dhe përmes kësaj tentojnë që, nën një; të pasqyrojnë një tablo komplet të rrejshme për situatën në Kosovë dhe nën dy; të mobilizojnë elemente radikale brenda shoqërisë serbe në mënyrë që ata pastaj të keqpërdoren. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë diskriminimi. Ne me aktivitetet tona nuk jemi të drejtuar kundër cilitdo qytetar pavarësisht përkatësisë etnike apo çfarëdo lloj përkatësie tjetër thjeshtë Policia e Kosovës është aty për të përmbushur detyrën e tyre kushtetuese, ajo është vendosja e rendit dhe ligjit dhe këtë po e bën suksesshëm pa kurrfarë diskriminimi, pa kurrfarë incidenti me qytetarët e asaj pjese po edhe të asnjë pjesë tjetër”, tha ai.

Sveçla theksoi se serbët e Kosovës janë të sigurt, se Kosova ka mekanizma që iu garanton siguri dhe mirëqenie./ AlsatM

Leave a Reply