William Saliba i ka bërë të gjithë për vete me paraqitjet e tij në qendër të mbrojtes për Arsenal. I rikthyer te “Topçinjtë” pas eksperiencës me Marseille, francezi është shfaqur një lojtar tashmë me shumë vetëbesim dhe ka marrë përsipër rolin e liderit në repartin e prapavijës te londinezët.
Jo më kot, Arsenal që në vitin 2019 shpenzoi 30 milionë euro për Salibën, përgatitet t’i rinovojë kontratën për tre vitet e ardhshme edhe si një formë për t’u mbrojtur nga kërkesat e shumta që po shfaqen për 21-vjeçarin.
Sakaq, nga Spanja zbulojnë edhe një prapaskenë teksa emri i Salibës ishte në listën e Barcelonës në rast se dështonte pista Jules Kounde. Në fakt, katalanasit arritën të firmosnin me ish-lojtarin e Sevillas dhe kështu u tërhoqën nga ideja për të marrë Saliban.
Tashmë, vetëm koha do ta tregojë nëse spanjollët bënë zgjedhjen e duhur apo jo, edhe pse potenciali i shfaqur nga Saliba lë pak pikëpyetje. Kujtojmë se nga ana tjetër, Kounde është aktualisht i dëmtuar dhe pritet të mungojë edhe për dy ndeshjet e radhës ndërsa trajneri Xavi Hernandes shpreson ta ketë të gatshëm për El Clasicon ndaj Real Madrid më datë 16 tetor.