Bekim Sejdiu s’do të bëhet President. Me vështirësitë e qarta përpara dhe një ditë pas një konstituimi të Kuvendit dhe zgjedhje të qeverisë të kontestuara, diplomati, profesori me përvojë në drejtësi kushtetuese, u tërhoq. Tha se procesi devijoi.
Gazeta Express
Zgjedhja e Bekim Sejdiut President dështoi zyrtarisht, pa shkruan fare për votim në Kuvend.
Profesori universitar u tërhoq vetë, duke thënë se i tërë procesi për zgjedhjen e Presidentit devijoi “në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike”.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, shkroi ai të hënën në një postim në Facebook.
Sejdiu tha se ka besuar se partitë politike parlamentare dhe deputetët do t’i tejkalonin ndasitë “apo çfarëdo interesi tjetër, për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira dhe me plot sfida”.
Për tërheqjen e tij, ai tha se i kishte njoftuar paraprakisht kryeministrin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të cilët para dy javësh u morën vesh që Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President.
Sejdiu tha se vendi dhe qytetarët “nuk kanë nevojë për drama politike” dhe se shpreson që partitë politike do ta gjejnë një rrugëdalje nga kjo situatë të cilën ai e quajti “rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre”.
Zgjedhja e Bekim Sejdiut President u duk çështje vështirë e zgjidhshme kur një ditë pasi Kurti dhe Abdixhiku u dakorduan, LDK-ja mbajti një mbledhje të grupit parlamentar, në të cilën të paktën gjashtë deputetë të kësaj partie dolën kundër kësaj marrëveshjeje.
Deputetët e LDK-së që dolën kundër marrëveshjes për kandidaturën e Sejdiut dhanë arsyetimet e tyre, ndërsa kundërshtim patën edhe nënkryetarë të partisë si Imri Ahmeti dhe Gazmend Muhaxheri, të cilët thanë se emri i kandidatit do të duhej të diskutohej paraprakisht në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën prej 80 votash në dy votimet e para, Kushtetuta parasheh organizimin e një votimi të tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr të paktën 61 vota zgjidhet President.
Tërheqja e diplomatit dhe juritit me përvojë në drejtësi kushtetuese erdhi një ditë pasi Kuvendi u shpall i konstituuar dhe u zgjodh një qeveri e re, të dy veprime të grupit parlamentar të LVV-së dhe disa deputetëve minoritarë që u kontestuan në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.
Më shumë se një muaj pas nisjes së seancës konstituive, dhe më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, LVV-ja vendosi që -me sukses, sipas tyre – ta përfundonte seancën konstituive dhe ta zgjidhte një qeveri të re, megjithëse dy parti opozitare konsiderojnë se është shkelur Kushtetuta e vendit.
Me kërkesë të Kurtit, seanca konstituive e Kuvendit që kishte nisur më 6 gusht ishte ndërprerë dy herë radhazi ato ditë, kur ai nuk e propozonte kandidatin për kryeparlamentar, siç kërkohet me Kushtetutë, pasi e konsideronte të padobishme që të zgjidhej kryeparlamentari dhe nënkryetarët pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e Presidentit.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, më 7 gusht në mesnatë ka përfunduar afati për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari – deputeti më i vjetër i Kuvendit që vjen nga LVV-ja – e kishte caktuar për 8 gusht vazhdimin e seancës konstituive, e cila ishte ndërprerë nga ai në po të njëjtën mënyrë si ditën kur nisi, duke mos vazhduar deri pas javës së parë të shtatorit.
LVV-ja ka insistuar se seanca konstituive nuk do të vazhdonte pa një marrëveshje paraprake për Presidentin, për zgjedhjen e të cilit është përcaktuar një afat kushtetues 60 ditor, i cili fillon të rrjedhë vetëm pasi të konstituohet Kuvendi.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e shpalli të konstituuar Kuvendin të dielën, pa zgjedhjen e nënkryetarit nga PDK-ja. Kandidatura e PDK-së u pezullua nga kjo parti që tha se do ta priste aktgjykimin e Kushtetueses. Por për LVV-në, gjithçka ishte në rregull dhe mjaftoi zgjedhja e Kujtim Shalës së LDK-së dhe Tanja Vujeviqit të Listës Serbe si nënkryetarë.
Deputetët e PDK-së dhe Aleancës – të cilët nuk morën pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të dielën dhe as në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e qeverisë – thonë se LVV-ja e zvarriti konstituimin e Kuvendit deri më 13 shtator, me qëllimin që afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të fillojë të rrjedhë tash për të përfunduar në kohën e përshtatshme për t’i çuar zgjedhjet e reja në fund të dhjetorit, kur mërgimtarët zakonisht vijnë në Kosovë për pushime.















































