Manchester City mund të jetë duke hyrë në një periudhë ndryshimesh të mëdha, ndërsa raportimet e fundit kanë ngritur dyshime serioze mbi të ardhmen e Pep Guardiolës në “Etihad”.
Sipas “The Athletic”, trajneri i fitnesit Lorenzo Buenaventura, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Guardiolës për më shumë se 15 vite, do të largohet nga klubi në fund të sezonit. Italiani ka qenë pjesë e stafit të Pepit që nga koha te Barcelona, duke e ndjekur më pas edhe te Bayern Munich dhe Manchester City.
Por ndryshimet nuk përfundojnë këtu. Edhe trajneri i portierëve, Xabi Mancisidor, pritet të largohet gjatë verës pas skadimit të kontratës së tij, çka përforcon idenë se në klub mund të ndodhin lëvizje të mëdha në muajt e ardhshëm.
Këto largime po interpretohen si sinjalet e para të mundshme për një largim të Pep Guardiolës nga Manchester City. Megjithatë, sipas raportimeve, vendimi përfundimtar i strategut spanjoll do të merret vetëm pas përfundimit të sezonit.
Guardiola ka shkruar historinë me Cityn gjatë viteve të fundit, duke fituar trofe të shumtë dhe duke e shndërruar klubin anglez në një nga ekipet më dominante në futbollin evropian.
Ndërkohë, Manchester City duket se po përgatitet për çdo skenar. Raportohet se klubi tashmë ka nisur të përgatisë terrenin për Enzo Marescan si pasardhës të mundshëm të Guardiolës, në rast se ky i fundit largohet këtë verë ose në verën e vitit 2027.
Maresca, i cili ka qenë pjesë e stafit të Cityt në të kaluarën dhe konsiderohet një trajner me filozofi të ngjashme me Guardiolën, shihet si një nga kandidatët favoritë për të marrë drejtimin e skuadrës në të ardhmen.















































